AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 12

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 12

  1. Edhe u duk një shenjë e madhe në qiell, një grua që kishte veshur diellin, dhe hëna ishte poshtë këmbëve të saj, dhe mbi kryet e asaj ishte një kurorë me dymbëdhjetë yje.
  2. Edhe pasi ishte shtatzënë, bërtiste nga dhimbjet e barkut, dhe mundohej për të lindur.
  3. Edhe u duk një tjetër shenjë në qiell, dhe ja një dragua i madh i kuq, i cili kishte shtatë krerë e dhjetë brirë; dhe mbi krerët e tij shtatë kurora.
  4. Edhe bishti i tij tërhiqte një të tretën e yjeve të qiellit, dhe i hodhi ata në dhe. Edhe dragoi ndenji përpara gruas që kishte për të lindur, që të hante të birin e saj, kur ta lindte.
  5. Edhe lindi një fëmijë mashkull, i cili ka për të kullotur gjithë kombet me shkop të hekurt. Edhe djali i saj u rrëmbye tek Perëndia dhe tek froni i tij.
  6. Edhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të bërë gati nga Perëndia, që ta ushqejnë atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
  7. Edhe u bë luftë në qiell. Mihaili dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit, dhe luftoi dragoi dhe engjëjt e tij.
  8. Edhe nuk fituan, as u gjet vend për ata në qiell.
  9. Edhe u hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i vjetër që quhet djall, dhe satanai, ai që mashtron gjithë botën, u hodh poshtë në tokë, dhe engjëjt e tij u hodhën bashkë me të.
  10. Edhe dëgjova një zë të madh që thoshte në qiell: Tani u bë shpëtimi dhe fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë akuzuesi i vëllezërve tanë, ai që i akuzon ata përpara Perëndisë tonë natë e ditë.
  11. Edhe ata e mundën atë me gjakun e Qengjit, dhe me fjalën e dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën shpirtin e tyre deri në vdekje.
  12. Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju tokë e det, se zbriti djalli tek ju, duke pasur zemërim të madh, sepse e di se ka pak kohë.
  13. Edhe kur pa dragoi se u hodh në dhe, ndoqi gruan që lindi mashkullin.
  14. Edhe iu dhanë gruas dy krahë të shqiponjës së madhe, që të fluturojë në shkretëtirë në vendin e saj, ku ushqehet një vit dhe dy vjet dhe gjysmë viti, larg fytyrës së gjarprit.
  15. Edhe gjarpri lëshoi prapa gruas nga goja e tij ujë si lumë, që të bëjë ta marrë atë lumi.
  16. Edhe dheu e ndihmoi gruan, dhe toka hapi gojën e saj dhe e përpiu lumin që lëshoi dragoi nga goja e tij.
  17. Edhe dragoi u zemërua kundër gruas, dhe shkoi të bëjë luftë bashkë me ata që mbetën prej farës së saj, të cilët ruajnë porositë e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jisuit.