AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 11

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 11

  1. Edhe m’u dha një kallam që ngjante me shkop; dhe engjëlli rrinte e më thoshte: Ngrihu dhe mat tempullin e Perëndisë dhe altarin dhe ata që falen në të.
  2. Po avllinë që është përjashta tempullit lëre jashtë, dhe mos e mat, sepse iu dha kombeve, dhe qytetin e shenjtë do ta shkelin dyzet e dy muaj.
  3. Edhe do t’u jap të dy dëshmitarëve të mi porosi, dhe do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, veshur me thasë.
  4. Këta janë të dy drurët e ullirit, dhe të dy kandilat që rrinë përpara Perëndisë së dheut.
  5. Edhe në dashtë ndonjë t’u bëjë dëm atyre, zjarr del nga goja e tyre dhe ha armiqtë e tyre. Dhe në dashtë ndonjë t’u bëjë dëm atyre, kështu duhet të vritet ai.
  6. Këta kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; dhe kanë pushtet mbi ujërat t’i kthejnë në gjak, dhe ta godasin dheun me çdo lloj plage, sa herë të duan.
  7. Edhe kur të mbarojnë dëshminë e tyre, bisha që del nga pafundësia do të bëjë luftë me ata, dhe do t’i mundë, dhe do t’i vrasë.
  8. Dhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, që quhet shpirtërisht Sodomë dhe Egjipt, ku dhe Zoti i tyre u kryqëzua.
  9. Edhe prej popujve dhe prej fiseve dhe prej gjuhëve e prej kombeve shumë veta do t’i shohin kufomat e tyre tri ditë e gjysmë, dhe nuk do t’i lënë kufomat e tyre të vihen në varre.
  10. Edhe ata që rrinë mbi dhe do të gëzohen për ta, dhe do të gazmohen; dhe do t’i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit. Sepse këta dy profetë munduan ata që rrinë mbi dhe.
  11. Edhe pas tri ditë e gjysmë hyri tek ata frymë jete prej Perëndisë; dhe qëndruan në këmbët e tyre, dhe frikë e madhe ra mbi ata që i shihnin.
  12. Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli që u thoshte atyre: Ngjituni këtu. Edhe u ngjitën në qiell mbi re. Edhe armiqtë e tyre i panë ata.
  13. Edhe atë ditë u bë tërmet i madh, dhe një e dhjeta e qytetit ra, dhe u vranë në tërmet shtatë mijë emra njerëzish; dhe të tjerët i mori frika, dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.
  14. Mjerimi i dytë shkoi. Ja tek po vjen shpejt mjerimi i tretë.
  15. Edhe engjëlli i shtatë i ra trumbetës, dhe u bënë zëra të mëdhenj në qiell që thoshin: Mbretëritë e botës u bënë të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe do të mbretërojë në jetë të jetëve.
  16. Edhe të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre ranë me fytyrë përdhe, dhe iu falën Perëndisë,
  17. duke thënë: Të falëminderit ty, o Zot Perëndi i Gjithëpushtetshëm, i cili je ai që është dhe ai që ishte dhe ai që vjen; sepse more fuqinë tënde të madhe, dhe mbretërove.
  18. Edhe kombet u zemëruan, dhe erdhi zemërimi yt, dhe koha e të vdekurve, që të gjykohen, dhe t’u japësh pagën shërbëtorëve të tu profetë, dhe shenjtorëve, dhe atyre që e kanë frikë emrin tënd, të vegjëlve e të mëdhenjve, dhe të prishësh ata që prishin dhenë.
  19. Edhe u hap tempulli i Perëndisë në qiell, dhe u duk arka e dhiatës së atij në tempullin e tij; dhe u bënë vetëtima e zëra e bubullima e tërmet e breshër i madh.