AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 10

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 10

  1. Edhe pashë një tjetër engjëll të fuqishëm duke zbritur nga qielli, të veshur me re; dhe kishte ylber mbi krye; dhe fytyra e tij ishte si dielli, dhe këmbët e tij si shtylla zjarri.
  2. Edhe kishte në dorën e tij një libër të hapur; dhe vuri këmbën e tij të djathtë mbi det, dhe të majtën mbi dhe.
  3. Edhe bërtiti me zë të madh si luani kur ulërin. Edhe kur bërtiti, folën të shtatë bubullimat me zërat e tyre.
  4. Edhe kur folën të shtatë bubullimat, do të shkruaja. Dhe dëgjova një zë nga qielli që më thoshte: Vulos ato që folën të shtatë bubullimat, dhe mos i shkruaj ato.
  5. Edhe engjëlli që pashë duke ndenjur mbi det e mbi dhe ngriti dorën e tij të djathtë në qiell,
  6. edhe u betua për atë që rron në jetë të jetëve, i cili krijoi qiellin dhe sa janë në të, dhe tokën dhe sa janë në të, dhe detin dhe sa janë në të, se kohë nuk do të ketë më,
  7. po në ditët e zërit të engjëllit të shtatë, kur do t’i bjerë trumbetës, atëherë do të plotësohet misteri i Perëndisë, siç i kishte ungjillëzuar shërbëtorët e tij profetë.
  8. Edhe zëri që dëgjova nga qielli, përsëri fliste me mua e thoshte: Shko merr librin e hapur në dorën e engjëllit që ka ndenjur mbi det e mbi dhe.
  9. Edhe shkova tek engjëlli e i thashë: Më jep librin. Edhe ai më thotë: Merre dhe haje atë, dhe do të hidhërojë barkun tënd, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjaltë.
  10. Edhe mora librin nga dora e engjëllit dhe e hëngra. Dhe ishte në gojën time i ëmbël si mjaltë; dhe kur e hëngra atë, u hidhërua barku im.
  11. Edhe më thotë: Duhet të profetizosh përsëri për shumë popuj e kombe e gjuhë e mbretër.