Zbulesa 9
| Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi) |
Zbulesa 9
- Edhe engjëlli i pestë i ra trumbetës, dhe pashë se një yll kishte rënë nga qielli mbi tokë, dhe iu dha atij çelësi i pusit të pafundësisë.
- Edhe hapi pusin e pafundësisë; dhe doli tym nga pusi si tym i një furre të madhe; dhe u errësua dielli dhe era nga tymi i pusit.
- Edhe nga tymi dolën karkaleca mbi tokë, dhe iu dha atyre pushtet, siç kanë akrepat e dheut.
- Edhe iu tha atyre të mos i bëjnë dëm barit të dheut, as ndonjë njomësire, as ndonjë druri, veç vetëm njerëzve që s’kanë vulën e Perëndisë në ballet e tyre.
- Edhe iu dha atyre të mos i vrasin ata, po t’i mundojnë pesë muaj; dhe mundimi i tyre ishte si mundim akrepi, kur pickon njeriun.
- Edhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, dhe nuk do ta gjejnë; dhe do të dëshirojnë të vdesin, dhe vdekja do të ikë nga ata.
- Edhe nga forma karkalecat u shembëllenin kuajve që janë bërë gati për luftë; dhe mbi krerët e tyre kishin si kurora që ngjanin me ar, dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.
- Edhe kishin flokë si flokë grash; dhe dhëmbët e tyre ishin si të luanëve.
- Edhe kishin parzmore si parzmore të hekurta; dhe zëri i krahëve të tyre ishte si zë karrocash me shumë kuaj kur sulen në luftë.
- Edhe kishin bishta që shembëllenin me akrepa, dhe thumba kishte nëpër bishtat e tyre; dhe pushteti i tyre ishte t’u bëjnë dëm njerëzve pesë muaj.
- Edhe kishin mbret mbi veten e tyre engjëllin e pafundësisë; i cili hebraisht e ka emrin Abadon, dhe në greqisht e ka emrin Apolion (prishës).
- Një mjerim shkoi. Ja tek po vijnë edhe dy pas këtij.
- Edhe engjëlli i gjashtë i ra trumbetës, dhe dëgjova një zë nga të katër brirët e altarit të artë që është përpara Perëndisë,
- që i thoshte engjëllit të gjashtë që kishte trumbetën: Zgjidh të katër engjëjt që janë lidhur mbi lumin e madh Eufrat.
- Edhe u zgjidhën të katër engjëjt që ishin bërë gati për orën e për ditën e për muajin e për vitin, që të vrasin një të tretën e njerëzve.
- Edhe numri i ushtarëve të kalorësisë ishte dy dhjetëmijëra dhjetëmijërash.
- Edhe kështu pashë kuajt në vegim dhe ata që rrinin mbi ata, se kishin parzmore prej zjarri e prej hiacinti e prej squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh, dhe nga goja e tyre dilte zjarr e tym e squfur.
- Nga këta të tre u vranë një e treta e njerëzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri që dilte nga gojët e tyre,
- sepse pushtetet e tyre janë në gojët e tyre; sepse bishtat e tyre shembëllenin me gjarpërinj, dhe kishin krerë, dhe me ata bënin dëm.
- Edhe njerëzit e tjerë, ata që nuk u vranë nga këto plagë, as nuk u penduan nga punët e duarve të tyre, që të mos u falen djajve dhe idhujve të artë e të argjendtë e të bakërt e të gurtë e të drunjtë, të cilët as nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin.
- Edhe nuk u penduan për vrasjet e tyre, as për magjitë e tyre, as për imoralitetin e tyre, as për vjedhjet e tyre.





