Zbulesa 7
| Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi) |
Zbulesa 7
- Edhe pastaj pashë katër engjëj që rrinin mbi të katër cepat e dheut, dhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi çdo dru.
- Edhe pashë një tjetër engjëll që u ngjit nga lindja e diellit e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë, dhe u thërriti me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve iu dha t’u bëjnë dëm tokës dhe detit.
- E thoshte: Mos i bëni dëm dheut, as detit, as drurëve, deri sa të vulosim shërbëtorët e Perëndisë tonë në ballet e tyre.
- Edhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur prej gjithë fiseve të bijve të Izraelit.
- Prej fisit të Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Rubinit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Gadit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
- prej fisit të Asirit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Neftaliut, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Manasiut, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
- prej fisit të Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Leviut, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Isaharit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
- prej fisit të Zavulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Josifit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur.
- Pastaj pashë, dhe ja një turmë e madhe, të cilën asnjë s’mundej ta numëronte, prej çdo kombi e farësh e popujsh e gjuhësh, që rrinin përpara fronit e përpara Qengjit, veshur me stoli të bardha, dhe mbanin degë palmash në duart e tyre.
- Edhe thërrisnin me zë të madh e thoshin: Shpëtimi është i Perëndisë tonë që ka ndenjur mbi fron dhe i Qengjit.
- Edhe gjithë engjëjt rrinin përqark fronit dhe pleqve dhe të katër shtazëve, dhe ranë përmbys përpara fronit, e iu falën Perëndisë,
- duke thënë: Amin. Bekimi dhe lavdia dhe dituria dhe falënderimi dhe nderi dhe fuqia e forca janë mbi Perëndinë tonë në jetë të jetëve. Amin.
- Edhe u përgjigj një nga pleqtë, e më tha: Cilët janë këta që janë veshur me stoli të bardha, dhe nga erdhën?
- Edhe i thashë atij: Zot, ti e di. Edhe më tha: Këta janë ata që vijnë prej shtrëngimit të madh; dhe lanë stolitë e tyre, dhe zbardhën stolitë e tyre në gjakun e Qengjit.
- Prandaj janë përpara fronit të Perëndisë, dhe e adhurojnë ditë e natë në tempullin e tij. Edhe ai që ka ndenjur mbi fron ka për të ndenjur ndër ata.
- Nuk do të kenë uri, as nuk do të kenë më etje, as nuk do të bjerë dielli mbi ta, as çdo lloj vape.
- Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i ruajë ata e do t’i udhëheqë ata në burime ujërash të gjalla dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.





