Zbulesa 6
| Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi) |
Zbulesa 6
- Edhe pashë, kur hapi Qengji njërën nga vulat, dhe dëgjova një nga të katër shtazët që thoshte, si me zë bubullime: Eja dhe shih.
- Edhe pashë, dhe ja një kalë i bardhë; dhe ai që kishte ndenjur mbi të kishte një hark; dhe iu dha atij një kurorë, dhe doli duke fituar, dhe që të fitojë.
- Edhe kur hapi vulën e dytë, dëgjova shtazën e dytë, që thoshte: Eja.
- Edhe doli një tjetër kalë i kuq; dhe atij që kishte ndenjur mbi të iu dha të ngrerë paqen nga dheu, dhe të therin njëri-tjetrin, dhe iu dha atij një thikë e madhe.
- Edhe kur hapi vulën e tretë, dëgjova të tretën shtazë që thoshte: Eja dhe shih. Edhe pashë, dhe ja një kalë i zi, dhe ai që kishte ndenjur mbi të kishte një peshore në dorën e tij.
- Edhe dëgjova një zë në mes të katër shtazëve që thoshte: Një shinik gruri për një dinar; dhe tre shinikë elbi për një dinar; dhe vajit e verës mos i bëj dëm.
- Edhe kur hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e shtazës së katërt që thoshte: Eja dhe shih.
- Edhe pashë, dhe ja një kalë i ligur, dhe ai që kishte ndenjur mbi të quhej Vdekje, dhe Hadi vinte prapa bashkë me të, dhe iu dha atyre pushtet përmbi një të katërtën e dheut të vrasin me shpatë e me zi buke e me vdekje, dhe me bishat e dheut.
- Edhe kur hapi vulën e pestë, pashë përposh altarit shpirtrat e atyre që janë therur për fjalën e Perëndisë, dhe për dëshminë që kishin.
- Edhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: Deri kur, o Zot i shenjtë e i vërtetë, nuk do të gjykosh dhe nuk do të marrësh shpagim për gjakun tonë nga ata që rrinë mbi dhe?
- Edhe iu dhanë gjithësecilit stoli të bardha, dhe iu tha atyre të prehen edhe pak kohë, deri sa të plotësohen edhe bashkëshërbëtorët e tyre dhe vëllezërit e tyre, ata që do të vriten si dhe ata.
- Edhe pashë, kur hapi vulën e gjashtë. Edhe ja tek u bë një tërmet i madh, dhe dielli u bë i zi si thes prej lesh dhie, dhe hëna u bë si gjak.
- Edhe yjet e qiellit ranë mbi dhe, si druri i fikut që hedh fiqtë e papjekur, kur tundet prej ere të madhe.
- Edhe qielli u tërhoq si libri kur mbështillet, dhe çdo mal e ujdhesë luajtën nga vendet e tyre.
- Edhe mbretërit e dheut, dhe njerëzit e mëdhenj, dhe të pasurit, dhe kryemijëshit, dhe të fuqishmit, dhe çdo skllav, dhe çdo i lirë, fshehën veten e tyre nëpër shpellat e nëpër shkëmbinjtë e maleve,
- edhe u thonë maleve e shkëmbinjve: Bini mbi ne, dhe fshihnani nga faqja e atij që ka ndenjur mbi fron, dhe nga zemërimi i Qengjit.
- Sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tij. Dhe cili mund të qëndrojë?





