Zbulesa 4
| Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi) |
Zbulesa 4
- Pas këtyre pashë, dhe ja një derë e hapur në qiell. Edhe zëri i parë që dëgjova si zë trumbete që fliste bashkë me mua, thoshte: Ngjitu këtu, dhe do të të tregoj sa duhet të bëhen pas këtyre.
- Edhe përnjëherë u rrëmbeva në shpirt, edhe ja tek ishin një fron në qiell, dhe mbi fron ishte ulur një.
- Edhe ai që rrinte ngjante në pamje me gur diaspri dhe sardi; dhe ishte një ylber rreth fronit që ngjante në pamje me smerald.
- Edhe përqark fronit ishin njëzet e katër frone; dhe në fronet ulur të njëzet e katër pleqtë, veshur me rroba të bardha, dhe kishin mbi kryet e tyre kurora të arta.
- Edhe nga froni dilnin vetëtima dhe bubullima e zëra. Edhe përpara fronit ishin shtatë llambadha zjarri të ndezura, të cilat janë të shtatë shpirtrat e Perëndisë.
- Edhe përpara fronit ishte një det qelqi që ngjante me kristal; dhe në mes të fronit dhe rreth fronit katër shtazë, që ishin plot me sy përpara e prapa.
- Edhe shtaza e parë ngjante me luan, dhe shtaza e dytë ngjante me viç, dhe shtaza e tretë e kishte fytyrën si njeri, dhe shtaza e katërt ngjante me shqiponjë që fluturon.
- Edhe të katër shtazët kishin secila veçan nga gjashtë krahë përqark, dhe përbrenda ishin plot me sy, dhe nuk pushojnë ditë e natë duke thënë: “Shenjt, shenjt, shenjt është Zoti Perëndi i Gjithëpushtetshëm”, ai që ishte dhe që është dhe që vjen.
- Edhe kur t’i japin shtazët lavdi e nder e falënderim atij që ka ndenjur mbi fron, që rron në jetë të jetëve,
- të njëzet e katër pleqtë do të bien përpara atij që ka ndenjur mbi fron, dhe do t’i falen atij që rron në jetë të jetëve, dhe do të vënë kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë:
- I denjë je, o Zot, të marrësh lavdinë dhe nderin e fuqinë; sepse ti i krijove të gjitha, dhe prej vullnetit tënd janë dhe u krijuan.





