AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 3

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 3

  1. Edhe engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: Këto thotë ai që ka të shtatë shpirtrat e Perëndisë dhe të shtatë yjet: I di punët e tua, se e ke emrin që rron dhe je i vdekur.
  2. Bëhu i zgjuar, dhe forco të tjerët që janë gati për të vdekur; sepse nuk i gjeta veprat e tua të përsosura përpara Perëndisë.
  3. Kujtohu pra si more dhe dëgjove, dhe ruaji, dhe pendohu. Nëse nuk rri pra zgjuar, do të vij tek ti si vjedhës, dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij tek ti.
  4. Ke pak emra edhe në Sardë që nuk i ndynë rrobat e tyre; dhe do të ecin bashkë me mua me rroba të bardha, sepse janë të denjë.
  5. Fitimtari, ky do të vishet me rroba të bardha; dhe nuk do ta shuaj emrin e tij nga libri i jetës, dhe do ta pohoj emrin e tij përpara Atit tim, dhe përpara engjëjve të tij.
  6. Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti kishave.
  7. Edhe engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji: Këto thotë shenjti, i vërteti, ai që ka çelësin e Davidit; ai që hap, dhe askush s’mbyll; dhe mbyll, e askush s’hap:
  8. I di punët e tua. Ja tek kam vënë përpara teje një derë të hapur, dhe asnjë s’mund ta mbyllë atë; sepse ke pak fuqi, dhe ruajte fjalën time, dhe nuk mohove emrin tim.
  9. Ja tek do t’i bëj ata të sinagogës së satanait që thonë për veten e tyre se janë Judenj, dhe nuk janë, po gënjejnë. Ja tek do t’i bëj ata të vijnë e të falen përpara këmbëve të tua, dhe të njohin se unë të desha ty.
  10. Sepse ruajte fjalën e durimit tim, dhe unë do të të ruaj ty nga ora e ngasjes që ka për të ardhur mbi gjithë botën, që të provojë ata që banojnë mbi dhe.
  11. Ja tek vij shpejt; mbaj atë që ke, që të mos marrë ndonjë kurorën tënde.
  12. Fitimtarin, atë do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe nuk do të dalë më jashtë; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jerusalemit të ri, që zbret prej qiellit nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.
  13. Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti kishave.
  14. Edhe engjëllit të kishës së Laodikiasve shkruaji: Këto thotë ai që është Amin, dëshmitari besnik dhe i vërtetë, fillimi i krijesës së Perëndisë:
  15. I di punët e tua, se as i ftohtë je as i ngrohtë; makar të ishe i ftohtë ose i ngrohtë.
  16. Por pasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë, as i ngrohtë, do të të vjell nga goja ime.
  17. Sepse thua se jam i pasur, dhe s’ia kam nevojën askujt, dhe nuk e di se ti je fatkeq, dhe i mjerë, dhe i varfër, dhe i verbër, dhe i zhveshur.
  18. Të këshilloj ty të blesh prej meje ar të provuar në zjarr, që të bëhesh i pasur; dhe rroba të bardha, që t’i veshësh, dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë tënde; dhe lyeji sytë e tu me kolir që të shohësh.
  19. Unë gjithë sa i dua, i qortoj dhe i mundoj; ki zili pra dhe pendohu.
  20. Ja tek rri në derë dhe trokas; në dëgjoftë ndonjë zërin tim dhe hap derën, do të hyj tek ai, dhe do të ha bashkë me të, dhe ai bashkë me mua.
  21. Fitimtarit do t’i jap të rrijë bashkë me mua në fronin tim, siç fitova edhe unë, dhe ndenja bashkë me Atin tim në fronin e tij.
  22. Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti kishave.