AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 2

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 2

  1. Shkruaji engjëllit të kishës së Efesit: Këto thotë ai që mban të shtatë yjet në të djathtën e tij, ai që ecën në mes të shtatë kandilave të artë.
  2. I di punët e tua, dhe mundimin tënd, dhe durimin tënd, dhe se s’mund të durosh të ligjtë, dhe se provove ata që thonë se janë apostuj, dhe nuk janë; dhe i gjete gënjeshtarë.
  3. Edhe ke durim dhe për emrin tim u mundove, dhe nuk u lodhe.
  4. Po diçka kam kundër teje, sepse e le dashurinë tënde të parë.
  5. Kujtohu pra nga re poshtë, dhe pendohu, dhe bëj punët e para; në mos, do të vij shpejt tek ti, dhe do të luaj kandilin tënd nga vendi i tij, në mos u pendofsh.
  6. Por ke këtë të mirë, se i urren punët e Nikollaitëve, të cilat i urrej edhe unë.
  7. Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti kishave: Fitimtarit do t’i jap të hajë nga druri i jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë.
  8. Edhe engjëllit të kishës së Smirnës shkruaji: Këto thotë i pari dhe i fundit, i cili qe i vdekur dhe jetoi.
  9. I di punët e tua dhe shtrëngimin dhe varfërinë, - por je i pasur, - dhe blasfeminë e atyre që thonë për veten e tyre se janë Judenj, dhe nuk janë, por janë mbledhje e satanait.
  10. Mos u frikëso fare nga sa ke për të pësuar; ja, djalli ka për të vënë disa prej jush në burg, që të provoheni; dhe do të keni shtrëngim dhjetë ditë. Bëhu besnik deri në vdekje, dhe do të të jap kurorën e jetës.
  11. Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti kishave: Fitimtarit nuk do t’i bëhet keq prej vdekjes së dytë.
  12. Edhe engjëllit të kishës në Pergamë shkruaji: Këto thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy presa:
  13. I di punët e tua, dhe ku rri, atje ku është froni i satanait; dhe mban emrin tim, dhe nuk mohove besimin tim, edhe në ato ditë që ishte Antipa, dëshmitari im besnik, i cili u vra ndër ju, atje ku rri satanai.
  14. Por kam pak gjë kundër teje, sepse ke atje disa që mbajnë mësimin e Balamit, i cili mësonte Balakun të bëjë skandal përpara bijve të Izraelit, që të hanë therorë idhujsh dhe të kurvërojnë.
  15. Kështu ke edhe ti disa veta që mbajnë mësimin e Nikollaitëve që e urrej.
  16. Pendohu; se në mos, vij shpejt tek ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.
  17. Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti kishave: Fitimtarit do t’i jap të hajë nga manna që është fshehur, dhe do t’i jap një rrasë të bardhë, dhe mbi rrasë është shkruar një emër i ri, të cilin asnjë s’e njeh, veç atij që e merr.
  18. Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë e tij si flakë zjarri, dhe këmbët e tij të ngjashme me bakër të pastër:
  19. I di punët e tua, dhe dashurinë, dhe shërbesën, dhe besimin, dhe durimin tënd, dhe punët e tua, dhe veprat e tua të fundit se janë më të shumta se të parat.
  20. Por kam diçka kundër teje, se le gruan Jezabelë, që thotë për veten e saj se është profeteshë, të mësojë dhe të mashtrojë shërbëtorët e mi që të bëjnë imoralitet dhe të hanë therorë idhujsh.
  21. Edhe i dhashë kohë asaj të pendohet për imoralitein e saj, dhe nuk u pendua.
  22. Ja unë tek e vë atë në shtrat, dhe ata që shkojnë me të, i vë në vuajtje të madhe, në mos u pendofshin për punët e tyre.
  23. Edhe të bijtë e saj do t’i vras me vdekje. Edhe gjithë kishat do të njohin se unë jam ai që vëzhgoj veshkat dhe zemrat; dhe do t’i jap gjithësecilit prej jush sipas veprave tuaja.
  24. Edhe ju them juve dhe të tjerëve në Tiatirë, sa nuk kanë këtë mësim, dhe të cilët i njohën thellësitë e satanait, siç thonë: Nuk do të vë tjetër barrë mbi ju;
  25. por atë që keni mbajeni, deri sa të vij.
  26. Edhe fitimtarit dhe atij që ruan veprat e mia deri në fund, do t’i jap pushtet mbi kombet,
  27. edhe “do t’i kullosë ata me shkop të hekurt; do të thyhen si enë balte”, siç i mora edhe unë prej Atit tim,
  28. edhe do t’i jap atij yllin e mëngjesit.
  29. Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti kishave.