Jakovit 5
| Dhiata e Re - Letra e përgjithshme e Apostull Jakovit |
Jakovit 5
- Ejani tani ju të pasurit, qani e ulërini për të këqijat që do të vijnë mbi ju.
- Pasuria juaj u kalb, dhe rrobat tuaja jua brejti mola.
- Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush, dhe do të hajë mishrat tuaj si zjarr; mblodhët thesarë për ditët e fundit.
- Ja tek bërtet paga që ua keni mbajtur punëtorëve që korrën arat tuaja; dhe britmat e korrësve hynë në veshët e Zotit Savaoth.
- U kënaqët e dëfryet mbi dhe; ushqyet zemrat tuaja si në ditë therjeje.
- Dënuat dhe vratë të drejtin; dhe ai nuk ju rri kundër.
- Duroni pra, vëllezër, deri në ardhjen e Zotit. Ja bujku tek pret frutin e paçmueshëm të dheut, e ka durim për atë, deri sa të marrë shiun e hershëm e të vonin.
- Duroni edhe ju, forconi zemrat tuaja; sepse ardhja e Zotit u afrua.
- Mos u ankoni kundër njëri-tjetrit, vëllezër, që të mos dënoheni. Ja gjykatësi tek rri përpara dyerve.
- Merrni shembull, o vëllezër të mi, nga vuajtjet dhe durimi i profetëve, që folën në emrin e Zotit.
- Ja tek lumturojmë ata që durojnë. Keni dëgjuar për durimin e Jovit, dhe patë fundin prej Zoti, se Zoti është fort përdëllimtar dhe i dhembshur.
- Edhe para së gjithash, vëllezër të mi, mos u betoni, as për qiellin, as për dhenë, as ndonjë tjetër betim; po le të jetë po-ja juaj, po, dhe jo-ja, jo; që të mos bini në dënim.
- Vuan ndonjë nga ju? Le të falet. Gëzohet ndonjë? Le të psalë.
- Është i sëmurë ndonjë ndër ju? Le të thërresë pleqtë e kishës, dhe le të falen për atë, e le ta lyejnë me vaj në emrin e Zotit.
- Dhe urata që është me besim do ta shpëtojë atë që lëngon, dhe Zoti do ta ngrerë atë; dhe në pastë bërë mëkate, do t’i falen.
- Rrëfejani fajet njëri-tjetrit, dhe faluni njëri për tjetrin, që të shëroheni. Shumë fuqi ka lutja e të drejtit, kur bëhet me shpirt.
- Ilia ishte një njeri që pësonte si ne, dhe u fal duke u lutur që të mos bjerë shi; dhe nuk ra shi mbi dhe tre vjet e gjashtë muaj.
- Edhe përsëri u fal, dhe qielli dha shi, dhe toka dha frutin e saj.
- Vëllezër, në daltë ndonjë nga ju jashtë udhës së të vërtetës, dhe ta kthejë ndonjë atë,
- le ta dijë se ai që kthen një mëkatar prej udhës së tij të gabuar, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja, dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.





