Jakovit 4
| Dhiata e Re - Letra e përgjithshme e Apostull Jakovit |
Jakovit 4
- Nga se vijnë luftra e grindje ndër ju? Jo që këtej, nga dëshirimet që luftojnë në pjesët e trupit tuaj?
- Dëshironi, e nuk keni; vritni, e keni smirë, dhe nuk mund t’ia arrini; ziheni e luftoni, po nuk keni, sepse nuk lypni.
- Lypni, e nuk merrni, sepse lypni keq, që të prishni në dëshirimet tuaja.
- O të përdalë e të përdala, a nuk e dini se miqësia e botës është armiqësi e Perëndisë? Ai pra, që të dojë të jetë mik i botës, bëhet armiku i Perëndisë.
- Apo pandehni se më kot Shkrimi thotë: Për smirë dëshiron shpirti që ndenji ndër ne?
- Por Perëndia jep një hir më të madh, prandaj thotë: “Perëndia mendjemëdhenjve u rri kundër, po kryeulurve u jep hir”.
- Bindjuni pra Perëndisë; rrini kundër djallit, dhe do të ikë nga ju.
- Afrojuni Perëndisë, dhe do t’ju afrohet juve. Pastroni duart tuaja, o mëkatarë, dhe pastroni zemrat, o të pavendosur.
- Hiqni keq e vajtoni e qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në vaj, dhe gëzimi juaj në hidhërim.
- Përuluni përpara Zotit, dhe do t’ju ngrerë lart.
- Mos flisni keq njëri për tjetrin, vëllezër; ai që flet keq për vëllanë dhe gjykon të vëllanë, flet keq për ligjin dhe gjykon ligjin; dhe nëse gjykon ligjin, nuk je ruajtës i ligjit, por gjykatës i tij.
- Një është ligjvënësi që mund të shpëtojë dhe të humbasë; cili je ti që gjykon tjetrin?
- Ejani tani ju që thoni: Sot e nesër do të shkojmë në këtë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, dhe do të tregtojmë e do të fitojmë;
- ju që nuk dini se ç’do të bëhet nesër. Sepse ç’është jeta juaj? Eshtë me të vërtetë një avull që duket për pakëz kohë, e pastaj humbet.
- Në vend që të thoni: Në dashtë Perëndia, dhe në rrofshim, do të bëjmë këtë ose atë.
- Po tani mburreni me mendjemadhësitë tuaja; çdo mburrje e tillë është e ligë.
- Ai pra, që di të bëjë mirë, dhe nuk bën, për atë ky është mëkat.





