AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Hebrenjve 13

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve
Share

Hebrenjve 13

  1. Dashuria vëllazërore le të mbesë.
  2. Mos harroni mikpritjen, sepse me anë të kësaj disa pa e ditur pritën engjëj.
  3. Kujtoni të burgosurit, si të burgosur bashkë me ata; ata që heqin keq, si të jeni edhe vetë në trupin e tyre.
  4. Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë, dhe shtrati i paturpëruar, sepse të përdalët dhe kurorëshkelësit do t’i gjykojë Perëndia.
  5. Sjelljet tuaja le të jenë pa lakmi argjendi; le t’u jenë mjaft ato që keni tani; sepse ai ka thënë: “Nuk kam për të të lënë, as nuk kam për të hequr dorë prej teje”.
  6. Prandaj ne me guxim le të themi: “Zoti është ndihmësi im, dhe nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?”.
  7. Kujtoni të parët tuaj, të cilët ju folën juve fjalën e Perëndisë; besimin e tyre ta keni për shembull, duke pasur përpara syve frytin e sjelljeve të tyre.
  8. Krishti është po ai dje dhe sot dhe në jetë të jetëve.
  9. Mos u rrëmbeni prej mësimesh të ndryshme e të huaja; sepse është mirë të forcohet zemra juaj me hir, jo me të ngrëna, ndër të cilat ata që ecën nuk panë dobi.
  10. Kemi një therore, prej së cilës s’kanë pushtet të hanë ata që adhurojnë në tendë.
  11. Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave sillet brenda në shenjtërore prej kryepriftit për mëkat, digjen jashtë vendfushimit.
  12. Prandaj edhe Jisui, që të shenjtërojë popullin me anë të gjakut të tij, pësoi jashtë portës.
  13. Le të dalim pra tek ai jashtë vendfushimit, duke mbajtur dhunën e atij.
  14. Sepse nuk kemi këtu qytet që mbetet përherë, po kërkojmë atë që ka për të ardhur.
  15. Me anë të atij pra, le të sjellim gjithnjë tek Perëndia theror lavdie, domethënë fryt buzësh që rrëfejnë emrin e tij.
  16. Edhe mos harroni të bëni mirë e t’u jepni ndihmë të varfërve, sepse therore të tilla pëlqen Perëndia.
  17. Bindjuni të parëve tuaj, dhe dëgjojini; sepse ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, sepse ata do të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim, e jo duke psherëtirë; sepse kjo nuk ju bën dobi juve.
  18. Faluni për ne, sepse jemi të bindur që kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në gjithçka.
  19. Por më tepër ju lutemi ta bëni këtë, që të kthehem tek ju më shpejt.
  20. Edhe Perëndia i paqes, i cili ngriti prej së vdekurish bariun e madh të dhenve me anë të gjakut të dhiatës së përjetshme, Zotin tonë Jisu Krisht,
  21. u bëftë të përsosur në çdo punë të mirë, që të bëni vullnetin e tij, duke punuar ndër ju atë që është e pëlqyeshme përpara tij, me anë të Jisu Krishtit; të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
  22. Edhe ju lutem, vëllezër, duroni fjalën e këshillës; sepse me pak fjalë ju shkrova juve.
  23. E dini se vëllai Timothe u lëshua nga burgu, me të cilin, në ardhtë më shpejt, do t’ju shoh juve.
  24. Përshëndetni gjithë të parët tuaj dhe të gjithë shenjtorët. Ju përshëndesin ata që janë nga Italia.
  25. Hiri qoftë me ju të gjithë. Amin.