Hebrenjve 12
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve |
Hebrenjve 12
- Prandaj dhe ne, të rrethuar prej një reje kaq të madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pushton lehtë, dhe me durim le të sulemi në rrugën që është përpara nesh,
- duke shikuar tek Jisui që është kryet dhe fundi i besimit, i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin, dhe ndenji në të djathtë të fronit të Perëndisë.
- Sepse kujtoni atë që duroi prej mëkatarëve një kundërshtim të tillë mbi veten e tij, që të mos lodheni duke u ligështuar në shpirtrat tuaj.
- Ju ende s’keni rezistuar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit.
- Edhe keni harruar këshillën, që posi bijve u flet juve: “Biri im, mos hidh tej mundimin e Zotit; mos e humb zemrën, kur qortohesh prej atij.
- Sepse atë që do Zoti e mundon, dhe rreh çdo bir që pret pranë vetes”.
- Në durofshi mundimin, Perëndia sillet me ju si me bij; sepse cili është ai bir që s’e mundon i ati?
- Po të jeni pa mundim, në të cilin u bënë pjesëtarë të gjithë, atëherë jeni bastardë dhe jo bij.
- Pastaj etërit tanë sipas mishit i kishim mundues, dhe i nderonim ata; a nuk do t’i ulim kryet shumë më tepër Atit të shpirtrave, dhe të rrojmë?
- Sepse ata na mundonin për pak ditë, sipas pëlqimit të tyre; po ai për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij.
- Edhe çdo mundim tani nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por pastaj u jep pemë paqeje prej drejtësie atyre që janë stërvitur me anë të atij.
- “Prandaj forconi duart e dobësuara dhe gjunjët e këputur”,
- Edhe “bëjuni këmbëve tuaja udhë të drejta”, që të mos dalë jashtë udhës ajo që është e çalë, por më tepër të shërohet.
- Kërkoni paqe me të gjithë, dhe shenjtërimin, pa të cilin asnjë nuk ka për të parë Zotin;
- duke vënë re se mos mbetet ndonjë mangut nga hiri i Perëndisë; “se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur, e ju turbullon”, dhe me anë të saj ndyhen shumë veta;
- Se mos ndodhet ndonjë i përdalë e i ndyrë si Isafi, që shiti të drejtat e parëlindjes së tij për një gjellë.
- Sepse e dini, se edhe pastaj, kur deshi të trashëgojë bekimin, u hodh tej; sepse nuk gjeti vend pendimi, ndonëse e kërkoi me lot.
- Sepse nuk jeni afruar në mal që zihet me dorë, e që digjet me zjarr, dhe në vranësirë, e në errësirë, e në thëllim,
- e në zë trumbete, e në zë fjalësh, të cilin ata që e dëgjuan u lutën të mos u flitej më fjala atyre;
- - sepse nuk mundeshin të duronin urdhrin, që “Edhe shtazë në e prektë malin, do të vritet me gurë”.
- Edhe kaq e frikshme ishte shfaqja, sa Moisiu tha: Jam fort i frikësuar dhe i trembur.
- Por u afruat në malin Sion, dhe në qytetin e Perëndisë së gjallë, në Jerusalemin qiellor, dhe në mori engjëjsh,
- në mbledhje e në kishën e të parëlindurve, të cilët janë shkruar në qiejt, dhe tek Perëndia, gjykatësi i të gjithëve, dhe tek shpirtrat e të drejtëve që janë bërë të përsosur,
- edhe te ndërmjetësi i dhiatës së re Jisu, dhe në gjakun e spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.
- Shikoni se mos hiqni dorë nga ai që flet; sepse nëse nuk shpëtuan ata që hoqën dorë nga ai që u fliste atyre mbi dhe, shumë më tepër nuk do të shpëtojmë ne, në i kthefshim krahët atij që flet prej qiejve;
- zëri i të cilit atëherë tundi dhenë; po tani premtoi, duke thënë: “Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dhenë, po edhe qiellin”.
- Edhe kjo fjalë “Edhe një herë” tregon ndërrimin e vendit të atyre që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.
- Prandaj pasi marrim një mbretëri të patundur, le të mbajmë hirin, me anë të të cilit pëlqyeshëm të adhurojmë Perëndinë, me nderim e përkushtim.
- Sepse “Perëndia ynë është zjarr që tret”.





