AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Hebrenjve 9

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve
Share

Hebrenjve 9

  1. Kishte pra, edhe tenda e parë rregulla adhurimi dhe shenjtëroren tokësore.
  2. Sepse u ndërtua tenda e parë, në të cilën ishte edhe kandilmbajtësja, edhe tryeza, edhe paravënia e bukëve, tendë e cila quhet Shenjtërore.
  3. Edhe pas kurtinës së dytë ishte tenda që quhet Shenjtërore e Shenjtëroreve,
  4. e cila kishte një altar të artë, dhe arkën e dhiatës të mbuluar përreth nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte shtamba e artë që kishte mannën, dhe shkopi i Aronit që mbiu, dhe dërrasat e dhiatës.
  5. Edhe përsipër asaj ishin Kerubimet e lavdisë që i lëshonin hije fronit të përdëllimit; për të cilat nuk është tani nevoja të flasim hollësisht.
  6. Edhe duke qenë këto të ndërtuara kështu, në tendën e parë gjithnjë hyjnë priftërinjtë që bëjnë lutjet.
  7. Po në të dytën një herë në vit hyn vetëm kryeprifti, jo pa gjak, të cilin e sjell theror për veten e tij dhe për fajet e popullit, që i bëjnë nga padija.
  8. Edhe këtë e tregonte Shpirti i Shenjtë, se ende nuk ishte shfaqur rruga për në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, deri sa ende po qëndronte tenda e parë,
  9. e cila ishte simbol për kohën e tanishme, sipas të cilit dhuratat e therorët e ofruar nuk mund ta bënin të përsosur nga ndërgjegja atë që lutej,
  10. sepse ishin caktuar vetëm për të ngrëna e për të pira dhe për larje të ndryshme, e për rregulla trupore, deri në kohën e ndreqjes.
  11. Por si erdhi Krishti, kryeprifti i të mirave të ardhshme me anë të tendës më të madhe e më të përsosur, që s’është bërë me dorë, domethënë, që s’është prej kësaj krijese,
  12. as me anë gjaku cjepësh e viçash, po me anë të gjakut të tij hyri një herë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, dhe fitoi shpërblim të përjetshëm.
  13. Sepse në qoftë se gjaku i demave e i cjepëve, dhe hiri i mëshqerrës që spërkat të ndoturit, shenjtëron për pastrimin e trupit,
  14. sa më tepër gjaku i Krishtit, i cili me anë të Shpirtit të përjetshëm i ofroi veten e tij për theror pa njollë Perëndisë, do të pastrojë ndërgjegjen tuaj nga punë të vdekura, që të lusni Perëndinë e gjallë?
  15. Edhe prandaj është ndërmjetës i një dhiate të re, që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljes së porosive në kohën e dhiatës së parë, të marrin ata që janë thirrur, premtimin e trashëgimit të përjetshëm.
  16. Sepse atje ku ka dhiatë është e nevojshme të ketë vdekje të atij që bëri dhiatën.
  17. Sepse dhiata ka fuqi mbi ata që kanë vdekur; sepse kurrë s’ka fuqi deri sa rron ai që bëri dhiatën.
  18. Prandaj as e para nuk qe vërtetuar pa gjak;
  19. sepse pasi iu tha prej Moisiut çdo porosi sipas ligjit gjithë popullit, mori gjakun e viçave e të cjepëve, bashkë me ujë e me lesh të kuq e me hisop, dhe spërkati edhe vetë librin e gjithë popullin,
  20. duke thënë: “Ky është gjaku i dhiatës që urdhëroi Perëndia për ju”.
  21. Edhe gjithashtu spërkati me gjak edhe tendën dhe gjithë enët e shërbesës.
  22. Edhe pothuajse me gjak të gjitha pastrohen sipas ligjit, dhe pa derdhur gjak s’ka ndjesë mëkatesh.
  23. Ishte e nevojshme pra që format e qielloreve të pastrohen me këto, po qielloret me therorë më të mirë se këto.
  24. Sepse Krishti nuk hyri në shenjtërore të bëra me dorë, që janë kopje të të vërtetave, po në qiell vetë, që të duket tani përpara Perëndisë për ne;
  25. as të ofrojë theror veten e tij shumë herë, siç hyn kryeprifti në shenjtërore vit për vit me gjak të huaj;
  26. - sepse atëherë duhej shumë herë të pësonte që kur se u fillua bota; - por tani një herë në fund të jetëve u shfaq, që të prishë mëkatin me anë të therorizimit të vetes së tij.
  27. Edhe siç është urdhëruar për njerëzit një herë të vdesin, dhe pastaj është gjyqi,
  28. kështu edhe Krishti, pasi një herë u pru theror që të ngrerë mëkatet e shumë vetave, do të duket për së dyti pa mëkat tek ata që e presin për shpëtim.