Hebrenjve 8
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve |
Hebrenjve 8
- Edhe përmbledhja e atyre që themi është kjo: Kemi një kryeprift të tillë, i cili ndenji në të djathtë të fronit të madhërisë në qiejt,
- edhe është shërbëtor i shenjtërores dhe i tendës së vërtetë, të cilën e nguli Zoti, e jo njeri.
- Sepse çdo kryeprift vihet që të sjellë dhurata e therorë; prandaj është e nevojshme të ketë edhe ky diçka që ta bjerë theror.
- Sepse po të ishte mbi dhe, nuk do të ishte prift, sepse janë priftërinjtë që sjellin dhuratat sipas ligjit;
- të cilët punojnë sipas shembullit dhe sipas hijes së qielloreve, siç i qe thënë Moisiut, kur kishte për të ndërtuar tendën, sepse “Shiko”, thotë, “t’i bësh të gjitha sipas formës që t’u tregua ty në mal”.
- Po tani Krishti mori një shërbesë aq të shquar, sa është edhe ndërmjetës i një dhiate më të mirë, e cila u bë ligj përmbi premtimet më të mira.
- Sepse po të ishte pa të metë ajo e para, nuk do të kërkohej vend për të dytën.
- Sepse Perëndia duke qortuar ata thotë: “Ja tek po vijnë ditë, thotë Zoti, dhe do të bëj një dhiatë të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës,
- jo sipas dhiatës që bëra me etërit e tyre atë ditë që i rroka ata prej dore, që t’i nxirrja ata prej dheut të Egjiptit; sepse ata nuk qëndruan në dhiatën time, dhe unë s’i vura re ata, thotë Zoti.
- Sepse kjo është dhiata që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti, do të vë ligjet e mia në mendjet e tyre, dhe do t’i shkruaj ata mbi zemrat e tyre, dhe do t’u jem atyre Perëndi, dhe ata do të më jenë për popull.
- Edhe nuk do të mësojnë gjithësecili vëllain e tij, duke thënë: Njih Zotin; sepse të gjithë do të më njohin, që prej të voglit të tyre e deri në më të madhin e tyre.
- Sepse do të jem përdëllimtar në paudhësitë e tyre, dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe paligjësitë e tyre”.
- Duke thënë “të re” e vjetëroi të parën; dhe ajo që vjetërohet e plaket është afër prishjes





