Hebrenjve 7
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve |
Hebrenjve 7
- Sepse ky Melkisedeku, ishte mbreti i Salemit, prift i fort të lartit Perëndi, i cili u takua me Abrahamin kur ky kthehej nga shpartallimi i mbretërve, dhe e bekoi.
- Atij Abrahami i ndau edhe të dhjetën nga gjithë plaçka, - i cili së pari përkthehet mbret drejtësie, dhe pastaj edhe mbret i Salemit, që do me thënë mbret paqeje, -
- pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasuri as fillim ditësh, as fund jete, por i ngjashëm me Birin e Perëndisë, mbetet prift përgjithnjë.
- Pa mendoni sa i madh ishte ky, të cilit Abrahami, kryeati, i dha edhe të dhjetën nga plaçkat.
- Edhe nga të bijtë e Leviut ata që marrin priftërinë, kanë porosi të marrin sipas ligjit të dhjetën nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, ndonëse kanë dalë nga mesi i Abrahamit.
- Po ai që nuk e kishte gjenealogjinë nga ata mori të dhjetën nga Abrahami, dhe bekoi atë që kishte premtimin.
- Edhe pa asnjë kundërshtim më i vogli bekohet nga më i madhi.
- Edhe këtu njerëz të vdekshëm marrin të dhjeta; po atje merr të dhjeta ai që dëshmohet se rron.
- Edhe që të them kështu, me anë të Abrahamit edhe Leviu, që merr të dhjeta, dha të dhjeta.
- Sepse ishte ende në mesin e të atit, kur u takua me atë Melkisedeku.
- Po të ishte pra, përsosmëria me anë të priftërisë Levitike, - sepse populli mbi atë mori ligjin, - ç’nevojë ishte pra të ngrihet tjetër prift sipas rregullit të Melkisedekut, e të mos thuhet më sipas rregullit të Aronit?
- Sepse kur ndërrohet priftëria, nga nevoja bëhet edhe ndërrim ligji.
- Sepse ai, për të cilin thuhen këto, ishte prej tjetër fare, prej së cilës asnjë s’i qe afruar altarit.
- Sepse është e ditur që Zoti ynë lindi nga Juda, farë për të cilën Moisiu nuk foli asgjë për priftëri.
- Por edhe shumë më tepër është e qartë, sepse sipas shembullit të Melkisedekut ngrihet tjetër prift,
- i cili nuk u bë sipas ligjit të porosisë së mishit, por sipas fuqisë së jetës që s’ka fund.
- Sepse dëshmon, duke thënë: “Se ti je prift për gjithë jetën sipas rregullit të Melkisedekut”.
- Sepse porosia e parë bie poshtë, kur është e dobët dhe e padobishme;
- - sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, - po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.
- Edhe meqenëse nuk u bë prift pa betim,
- - sepse ata qenë bërë priftërinj pa betim, po ky me betim, me anë të atij që i tha atij: “Zoti u betua, dhe nuk do të pendohet. Ti je prift për gjithë jetën sipas rregullit të Melkisedekut”, -
- i një dhiate më të lartë u bë dorëzanë Jisui.
- Edhe ata qenë bërë priftërinj më shumë se një, sepse ndaloheshin prej vdekjes të mbeten përgjithnjë.
- Por ky, pasi mbetet për gjithë jetën, e ka priftërinë të pandërrueshme.
- Prandaj edhe mund t’i shpëtojë fare ata që afrohen pranë Perëndisë me anë të atij, sepse gjithnjë rron që të ndërmjetojë për ata.
- Sepse i tillë kryeprift na duhej, i shenjtë, i pafajshëm, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i bërë më i lartë se qiejt;
- i cili nuk ka përditë nevojë, si ata kryepriftërinjtë, të sjellë therorë më përpara për mëkatet e tij, dhe pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë, kur pruri theror veten e tij.
- Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi; po fjala e betimit që u bë pas ligjit vuri Birin, i cili është i përsosur për gjithë jetën.





