AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Hebrenjve 6

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve
Share

Hebrenjve 6

  1. Prandaj si të lëmë mësimin fillestar të Krishtit, le t’i drejtohemi përsosmërisë, pa vënë përsëri themel pendimi prej punësh të vdekura, dhe besim tek Perëndia,
  2. mësimi për pagëzime, e për vënien e duarve, e ngjalljen e të vdekurve, e për gjyqin e përjetshëm.
  3. Edhe këtë do ta bëjmë, në lejoftë Perëndia.
  4. Sepse është e pamundur që, ata që u ndriçuan një herë dhe ndjenë shijen e dhuratës qiellore, dhe u bënë pjesëtarë të Shpirtit të Shenjtë,
  5. edhe ndjenë shijen e fjalës së mirë të Perëndisë, dhe të fuqive të jetës së ardhme,
  6. edhe pastaj u rrëzuan, të përtërihen përsëri në pendim; sepse kryqëzojnë përsëri në veten e tyre të Birin e Perëndisë, dhe e turpërojnë.
  7. Sepse toka që pi shiun që bie shumë herë mbi të, dhe prodhon barëra të dobishme për ata, për të cilët edhe punohet, merr bekim nga Perëndia.
  8. Po në nxjerrtë gjemba e murriza, është e pavlefshme dhe afër mallkimit, fundi i së cilës është të digjet.
  9. Po për ju, të dashur, ndonëse flasim kështu, jemi të bindur, se keni gjërat më të mira, të cilat janë bashkuar me shpëtimin.
  10. Sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë punën tuaj dhe mundin e dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbimin që u bëtë e po u bëni shenjtorëve.
  11. Edhe dëshirojmë që gjithësecili prej jush të tregojë po atë kujdes për vërtetimin e plotë të shpresës deri në fund;
  12. që të mos bëheni përtacë, po të bëni si ata që trashëgojnë premtimin me anë të besimit e të zemërgjerësisë.
  13. Sepse Perëndia, kur i premtoi Abrahamit pasi s’kishte asnjë më të madh, mbi të cilin të betohej, u betua mbi veten e tij,
  14. duke thënë: “Vërtet duke bekuar do të të bekoj, dhe duke shumuar do të të shumoj”.
  15. Edhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin.
  16. Sepse njerëzit betohen mbi më të madhin, dhe betimi mbi ata është fundi i çdo kundërshtimi për të vërtetuar.
  17. Kështu Perëndia, duke dashur t’u tregojë më tepër trashëgimtarëve të premtimit pakthyeshmërinë e vullnetit të tij, vuri ndërmjetës betimin,
  18. që me anë dy gjërash të pakthyeshme, në të cilat është e pamundur të gënjejë Perëndia, të kemi ngushëllim të fortë ne që u sulëm që të mbajmë shpresën që kemi përpara,
  19. të cilën e kemi si spirancë të shpirtit të sigurt e të vërtetë, dhe që depërton përbrenda perdes,
  20. atje ku Krishti hyri për ne e na hapi udhën, pasi u bë kryeprift sipas rregullit të Melkisedekut.