Hebrenjve 3
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve |
Hebrenjve 3
- Prandaj, vëllezër shenjtorë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit tonë, Jisu Krishtin;
- i cili është besnik tek ai që e bëri, sikurse dhe Moisiu qe besnik në gjithë shtëpinë e tij.
- Sepse ky u lavdërua aq më tepër se Moisiu, sa ka më shumë nder se shtëpia ai që e ndërtoi atë.
- Sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt; po ai që i ndërtoi të gjitha është Perëndia.
- Edhe Moisiu qe besnik në gjithë shtëpinë e atij si shërbëtor, për dëshmi të atyre gjërave që do të fliteshin,
- por Krishti, si bir mbi shtëpinë e tij, shtëpia e të cilit jemi ne, nëse mbajmë shtrënguar guximin dhe mburrjen e shpresës deri në fund.
- Prandaj, siç thotë Shpirti i Shenjtë: “Sot në dëgjofsh zërin e atij,
- mos i ashpërsoni zemrat tuaja si në pikëllim, në ditën e ngasjes në shkretëtirë,
- ku etërit tuaj më nganë, më provuan, dhe panë punët e mia dyzet vjet.
- Prandaj u zemërova me atë brez, dhe thashë: Përherë gënjehen në zemrën e tyre; dhe ata nuk i njohën udhët e mia.
- Prandaj u betova në zemërimin tim: S’kanë për të hyrë në prehjen time”.
- Vështroni, vëllezër, që të mos ketë asnjë prej jush zemër të ligë pabesie, që të ngrerë krye kundër Perëndisë së gjallë.
- Po nxitni njëri-tjetrin përdita, deri sa quhet dita “Sot”; që të mos ashpërsohet ndonjë prej jush me gënjeshtrën e mëkatit.
- Sepse jemi bërë pjesëtarë të Krishtit, nëse mbajmë shtrënguar deri në fund fillimin e besimit,
- kur thuhet: “Sot, në dëgjofsh zërin e tij, mos i ashpërsoni zemrat tuaja si në pikëllim”.
- Sepse disa veta, pasi dëgjuan, e pikëlluan atë, po jo të gjithë ata që dolën prej Egjiptit me anë të Moisiut.
- Edhe me cilët u zemërua dyzet vjet? Vallë jo me ata që mëkatuan, të cilëve u ranë eshtrat në shkretëtirë?
- Edhe për cilët u betua se nuk do të hynin në prehjen e atij, veç se për ata që s’bindeshin?
- Edhe shohim se për pabesinë nuk mundën të hyjnë.





