AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Hebrenjve 2

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve
Share

Hebrenjve 2

  1. Prandaj duhet ne më tepër t’ua vëmë veshin atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjëherë.
  2. Sepse nëse doli e vërtetë fjala që u fol me anë të engjëjve, dhe çdo shkelje porosie e mosdëgjim mori shpërblim të drejtë,
  3. atëherë si do të shpëtojmë ne, në mos u kujdesshim për një shpëtim kaq të madh? i cili, pasi zuri të flitet prej Zotit, u vërtetua ndër ne prej atyre që e dëgjuan.
  4. Edhe Zoti dëshmonte bashkë me shenja e me çudira, e me çdo lloj fuqish, dhe me ndarje dhuratash të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij.
  5. Sepse nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilën po flasim.
  6. Edhe dikush dëshmoi diku, duke thënë: “Ç’është njeriu, që ta kujtosh? Apo i biri i njeriut që ta vështrosh?
  7. E bëre pakgjë më të ulët nga engjëjt; me lavdi e me nder e kurorëzove atë, dhe e vure përmbi punët e duarve të tua.
  8. Të gjitha i vure nën këmbët e tij”, sepse pasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa vënë nën pushtetin e tij. Po tani nuk i shohim ende të gjitha të jenë vënë nën pushtetin e tij.
  9. Por Jisuin që qe bërë pakgjë më i ulët nga engjëjt e shohim, prej pësimit të vdekjes, të kurorëzuar me lavdi e me nder, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për çdo njeri.
  10. Sepse i duhej atij, për të cilin janë të gjitha dhe me anë të të cilit u bënë të gjitha, duke prurë shumë bij në lavdi, të bëjë me anë të pësimeve të përsosur kryetarin e shpëtimit të tyre.
  11. Meqenëse edhe ai që shenjtëron edhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej njërit, shkak për të cilin nuk turpërohet t’i quajë ata vëllezër,
  12. duke thënë: “Do t’u rrëfej emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të kishës do të të lavdëroj”.
  13. Edhe prapë: “Unë do të kem shpresën time në atë”; dhe përsëri: “Ja unë, dhe djemtë që më dha Perëndia”.
  14. Edhe meqenëse djemtë kanë marrë pjesë prej mishi e gjaku, edhe ai gjithashtu mori pjesë prej po atyre gjërave, që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,
  15. edhe të shpëtojë të gjithë ata, të cilët për frikën e vdekjes ishin gjithë jetën e tyre nën skllavëri.
  16. Sepse me të vërtetë nuk u ndihmon engjëjve, po farës së Abrahamit i ndihmon.
  17. Prandaj duhej t’u ngjante në gjithçka vëllezërve, që të bëhej kryeprift i dhembshur dhe besnik në punët që kanë të bëjnë me Perëndinë, që të bëjë falje për mëkatet e popullit.
  18. Sepse me atë që pësoi vetë kur u nga, mund t’u ndihmojë atyre që ngiten.