2 Timotheut 4
| Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Timotheut |
2 Timotheut 4
- Të urdhëroj pra unë përpara Perëndisë dhe Zotit Jisu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:
- Prediko fjalën, qëndro me kohë e pa kohë, qorto, bjer në sy, nxit me çdo lloj zemërgjerësie e me mësim.
- Sepse ka për të ardhur koha kur nuk do të durojnë mësimin e shëndoshë, por do të mbledhin grumbull pranë vetes së tyre mësues sipas dëshirave të tyre, për të gudulisur veshët.
- Edhe nga e vërteta do t’i largojnë veshët, dhe do të kthehen të shkojnë pas përrallave.
- Po ti rri zgjuar në të gjitha, vuaj, bëj punë ungjillori, shërbesën tënde mbaroje.
- Sepse unë tani jam duke derdhur gjakun, dhe koha e ikjes sime arriti.
- Luftën e mirë luftova, udhën e mbarova, besimin e ruajta.
- Pastaj më mbetet kurora e drejtësisë, të cilën do të ma japë në atë ditë Zoti, gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por dhe gjithë atyre që duan dukjen e tij.
- Përpiqu të vish shpejt tek unë.
- Sepse Dhimai më la, sepse deshi këtë botë, dhe shkoi në Thesalonik; Krisku në Galati; Titoja në Dalmaci.
- Vetëm Llukai është bashkë me mua. Markun merre me vete dhe sille bashkë me ty; sepse më është i vlefshëm në punë.
- Edhe Tihikun e dërgova në Efes.
- Kur të vish, sill gunën që lashë në Troadë pranë Karpit, dhe librat, po më fort pergamenat.
- Aleksandër bakërpunuesi shumë të liga më bëri; Zoti ia shpagoftë sipas punëve të tij.
- Prej tij edhe ti ruhu, sepse shumë rri kundër fjalëve tona.
- Në mbrojtjen time të parë asnjë nuk erdhi bashkë me mua, po të gjithë më lanë, mos iu numëroftë atyre për mëkat.
- Por Zoti më ndenji pranë e më dha fuqi që me anën time të përmbushet predikimi, dhe të dëgjojnë gjithë kombet; dhe shpëtova nga goja e luanit.
- Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo punë e keqe, dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore; të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
- Përshëndet Priskilën dhe Akilën, dhe shtëpinë e Onisiforit.
- Erasti mbeti në Korint; dhe Trofimin e lashë të sëmurë në Melitë.
- Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndet Efvuli dhe Pudi dhe Lini dhe Klaudia, dhe gjithë vëllezërit.
- Zoti Jisu Krisht qoftë bashkë me shpirtin tënd. Hiri qoftë bashkë me ju. Amin.





