AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

2 Timotheut 3

Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Timotheut
Share

2 Timotheut 3

  1. Edhe dije këtë, se në ditët e fundit kanë për të ardhur kohë të këqija;
  2. sepse njerëzit do të jenë vetëdashës, argjenddashës, kryelartë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,
  3. të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, të egër, të tillë që s’duan të mirën,
  4. tradhtarë, gojëlëshuar, të fryrë, kënaqësidashës më tepër se perëndidashës,
  5. që në dukje janë të përkushtuar, po fuqinë e tij e kanë mohuar; edhe nga këta largohu.
  6. Sepse prej këtyre janë ata që hyjnë nëpër shtëpi, dhe skllavërojnë gratë që janë ngarkuar me mëkate, e tërhiqen prej çdo lloj dëshirimesh,
  7. të cilat gjithnjë mësohen, e kurrë s’mund të vijnë në njohjen e së vërtetës.
  8. Edhe ashtu si Janiu e Jambriu ndenjën kundër Moisiut, kështu edhe këta rrinë kundër së vërtetës, njerëz të prishur nga mendja, të paprovuar në besim.
  9. Por s’kanë për të përparuar më tepër; sepse marrëzia e tyre do t’u shfaqet të gjithëve, siç u shfaq edhe e atyre.
  10. Po ti i re prapa mësimit tim, sjelljeve, qëllimit, besimit, zemërgjerësisë, dashurisë, durimit,
  11. përndjekjeve, pësimeve, që më ndodhën në Antioki, në Ikoni, në Listër. Çfarë përndjekjesh hoqa! Dhe Zoti më shpëtoi nga të gjitha.
  12. Po edhe gjithë sa duan të rrojnë me përkushtim në Jisu Krishtin do të përndiqen.
  13. Po njerëzit e ligj e gënjeshtarë do të shkojnë mbarë në më të ligën, duke gënjyer të tjerë e duke gënjyer veten.
  14. Po ti qëndro në ato që mësove e u vërtetove, duke ditur prej cilit i ke mësuar;
  15. edhe se që nga foshnjëria i di shkronjat e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtim me anë të besimit që është në Jisu Krishtin.
  16. Gjithë shkrimi është prej Shpirtit të Perëndisë, dhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje, për arsim që është me drejtësi;
  17. që të jetë i përsosur njeriu i Perëndisë, i gatshëm për çdo punë të mirë.