1 Thesalonikasve 5
| Dhiata e Re - Letra e parë e Apostull Pavlit drejtuar Thesalonik |
1 Thesalonikasve 5
- Edhe për vitet e për kohët, vëllezër, nuk keni nevojë t’ju shkruaj;
- sepse ju e dini hollë, se dita e Zotit, si vjedhësi natën, kështu vjen.
- Sepse kur thonë: Paqe dhe siguri, atëherë vjen mbi ata humbje e papandehur, si dhimbjet e gruas shtatzënë; dhe nuk do të shpëtojnë.
- Po ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që t’ju arrijë ajo ditë si vjedhës.
- Të gjithë ju jeni bij drite e bij dite; nuk jemi të natës, as të errësirës.
- Le të mos flemë pra sikurse dhe të tjerët, po le të rrimë zgjuar dhe le të jemi të përmbajtur.
- Sepse ata që flenë, natën flenë; dhe ata që dehen, natën dehen;
- Por ne, pasi jemi të ditës, le të përmbajmë veten, duke veshur parzmoren e besimit e të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
- Sepse Perëndia nuk na ka urdhëruar për zemërim, po për trashëgim shpëtimi, me anë të Zotit tonë Jisu Krisht,
- që vdiq për ne, që, qoftë zgjuar, qoftë fjetur, të rrojmë bashkë me atë.
- Prandaj ngushëlloni njëri-tjetrin, dhe ndërtoni njëri-tjetrin, sikurse edhe bëni.
- Edhe ju lutemi, vëllezër, t’i njihni ata që mundohen ndër ju, e janë mbi ju në Zotin, dhe ju këshillojnë;
- edhe t’i nderoni me dashuri fort tepër për punën e tyre. Kini paqe ndërmjet jush.
- Edhe ju lutemi, vëllezër, këshilloni të praptët, ngushëlloni zemërlëshuarit, ndihmoni të sëmurët, jini zemërgjerë për të gjithë.
- Vështroni se mos ndonjë i kthen ndonjërit të keqe për të keqe; po kërkoni përherë të mirën edhe te njëri-tjetri, edhe tek të gjithë.
- Përherë gëzohuni.
- Pa pushim faluni.
- Për çdo gjë falënderoni, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju në Jisu Krishtin.
- Mos shuani Shpirtin.
- Mos hidhni poshtë profeci.
- Të gjitha provojini, të mirën mbani.
- Hiqni dorë prej çdo lloj ligësie.
- Edhe vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ju të tërë; edhe u ruajtë e tërë fryma juaj, dhe shpirti, dhe trupi, pa të metë në ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht.
- Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
- Vëllezër, faluni për ne.
- Përshëndetni gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
- Ju vë në be në Zotin, t’u lexohet letra gjithë vëllezërve të shenjtë.
- Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me ju. Amin.





