1 Thesalonikasve 4
| Dhiata e Re - Letra e parë e Apostull Pavlit drejtuar Thesalonik |
1 Thesalonikasve 4
- Së fundi pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju nxisim me anë të Zotit Jisu, siç morët prej nesh se si duhet të ecni dhe t’i pëlqeni Perëndisë, kështu të teproni tepër e më tepër.
- Sepse e dini çfarë porosish ju lamë me anë të Zotit Jisu.
- Sepse kjo është dëshira e Perëndisë, shenjtërimi juaj, të hiqni dorë nga imoraliteti;
- të dijë gjithësecili prej jush të mbajë enën e tij me shenjtërim e me nder;
- jo në pësim dëshirimi, si edhe kombet që s’njohin Perëndinë.
- Të mos kapërcejë ndonjë e t’i bëjë keq të vëllait në këtë punë; sepse Zoti është shpagimtar për gjithë këto; sikurse edhe ju thamë juve që më përpara dhe me dëshmi jua vërtetuam.
- Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, po në shenjtërim.
- Prandaj ai që hedh tej këto, nuk hedh tej njeri, po Perëndinë, që na dha neve Shpirtin e tij të Shenjtë.
- Edhe për dashurinë vëllazërore s’keni nevojë t’ju shkruajmë, se ju vetë jeni të mësuar prej Perëndisë që të doni njëri-tjetrin;
- sepse edhe e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë. Po ju lutemi, vëllezër, të teproni në këtë tepër e më tepër.
- Edhe ta keni për nder të rrini urtë e të shikoni punët tuaja, dhe të punoni me duart tuaja, siç ju porositëm,
- që të ecni para të jashtmëve siç ka hije, dhe të mos keni nevojë për asgjë.
- Edhe nuk dua që ju të mos dini, vëllezër, për ata që kanë fjetur, që të mos ju vijë keq, si edhe të tjerëve që s’kanë shpresë.
- Sepse nëse besojmë që Jisui vdiq dhe u ngjall, kështu edhe Perëndia ata që kanë fjetur me anë të Jisuit do t’i sjellë bashkë me atë.
- Sepse këtë jua themi juve me fjalë të Zotit, se ne të gjallët që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit nuk do t’ua arrijmë atyre që kanë fjetur;
- sepse Zoti vetë do të zbresë nga qielli me urdhër, me zë engjëlli të parë, dhe me trumbetë Perëndie, dhe të vdekurit që vdiqën në Krishtin do të ngjallen më përpara;
- pastaj ne të gjallët që do të kemi mbetur do të rrëmbehemi bashkë me ata në retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.
- Ngushëlloni pra me këto fjalë njëri-tjetrin.





