AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

1 Thesalonikasve 2

Dhiata e Re - Letra e parë e Apostull Pavlit drejtuar Thesalonik
Share

1 Thesalonikasve 2

  1. Sepse vetë ju e dini, vëllezër, se hyrja jonë tek ju nuk u bë më kot;
  2. por si vuajtëm më përpara dhe u shamë, siç e dini, në Filipë, morëm guxim në Perëndinë tonë të flasim ndër ju ungjillin e Perëndisë me shumë përpjekje.
  3. Sepse mësimi ynë nuk qe prej gënjeshtre, as prej ndyrësie, as me mashtrim;
  4. por siç u provuam prej Perëndisë të na besojë ungjillin, kështu flasim, jo si t’u pëlqejmë njerëzve, po Perëndisë që provon zemrat tona.
  5. Sepse as fjalë me lajka nuk përdorëm ndonjëherë, siç e dini, as shkak lakmie. Perëndia është dëshmitar.
  6. As nuk kërkuam lavdi prej njerëzish, as prej jush, as prej të tjerësh, ndonëse mund t’ju bëheshim juve barrë, si apostuj të Krishtit që jemi.
  7. Por qemë të butë ndërmjet jush, si mëndesha që ngroh në gji bijtë e saj.
  8. Kështu duke pasur dashuri të nxehtë për ju, na ka ënda t’ju japim juve jo vetëm ungjillin e Perëndisë, po edhe shpirtrat tanë, sepse qetë të dashur për ne.
  9. Sepse e mbani mend, vëllezër, lodhjen dhe mundimin tonë; sepse duke punuar ditë e natë, që të mos i bëhemi barrë ndonjërit prej jush, predikuam ungjillin e Perëndisë tek ju.
  10. Ju jeni dëshmitarë dhe Perëndia, se me shenjtëri e me drejtësi e pa të metë kemi qenë tek ju që besoni;
  11. siç e dini, se gjithësecilin prej jush e nxitnim dhe e ngushëllonim, si një atë bijtë e tij, dhe rreptë ju porositnim,
  12. që të ecni denjësisht tek Perëndia, që ju thirri në mbretërinë e në lavdinë e tij.
  13. Prandaj edhe ne falënderojmë Perëndinë pa pushim, se kur morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat prej nesh, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, po siç është me të vërtetë, fjalë Perëndie, fjalë e cila veprohet ndër ju që besoni.
  14. Sepse ju, vëllezër, bëtë siç bënë kishat e Perëndisë, që janë në Jude në Jisu Krishtin, se dhe ju pësuat po ato prej bashkëkombasve tuaj, sikurse dhe ata prej Judenjve,
  15. të cilët edhe Zotin Jisu e vranë si dhe profetët e tyre, edhe ne na ndoqën, edhe Perëndisë s’i pëlqejnë, edhe gjithë njerëzve u janë kundër;
  16. të cilët na ndalojnë t’u flasim kombeve që të shpëtojnë, për të përmbushur përherë mëkatet e tyre; por arriti mbi ata zemërimi përfundimtar.
  17. Por ne, vëllezër, të mbetur pa ju për pak kohë trupërisht, jo me zemër, më tepër u përpoqëm me shumë mall të shohim fytyrën tuaj.
  18. Prandaj deshëm të vijmë tek ju, më fort unë Pavli, edhe një herë edhe dy herë, po na ndaloi satanai.
  19. Sepse cila është shpresa jonë apo gëzimi, apo kurora e mburrja? Apo nuk jeni edhe ju përpara Zotit tonë Jisu Krisht në ardhjen e tij?
  20. Sepse ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi.