Kolosianëve 3
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Kolosianëve |
Kolosianëve 3
- Në qoftë se u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është në të djathtë të Perëndisë.
- Kini ndër mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi dhe.
- Sepse vdiqët dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin tek Perëndia.
- Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju bashkë me të do të shfaqeni në lavdi.
- Bëni pra të vdekura pjesët e trupit tuaj që janë mbi dhe, imoralitetin, ndyrësinë morale, epshin, lakminë e keqe dhe pangopësinë, që është idhujtari,
- gjëra për të cilat vjen zemërimi i Perëndisë përmbi të bijtë e pabindjes.
- Në këto edhe ju ecët dikur, kur rronit në to.
- Po tani hidhini tej edhe ju të gjitha këto, mërinë, zemërimin, ligësinë, blasfeminë, fjalët e ndyra prej gojës suaj.
- Mos i thoni gënjeshtra njëri-tjetrit, pasi zhveshët njeriun e vjetër bashkë me punët e tij,
- edhe veshët të riun që përtërihet në njohje sipas shembëllesës së atij që e ka krijuar;
- ku s’ka Grek e Judeas, rrethprerje e parrethprerje, barbar, Skit, shërbëtor, të lirë, por të gjitha e mbi të gjitha është Krishti.
- Vishni pra, si shenjtorë të zgjedhur e të dashur të Perëndisë, përdëllim, mirësi, përulësi, butësi, zemërgjerësi,
- duke duruar njëri-tjetrin dhe duke ndjerë njëri-tjetrin, në pastë ndonjë ankesë kundër ndonjërit; ashtu si edhe Krishti ju ndjeu ju, kështu edhe ju.
- Edhe përmbi gjithë këto vishni dashurinë, e cila është bashkëlidhja e përsosmërisë.
- Edhe paqja e Perëndisë le të mbretërojë në zemrat tuaja, në të cilën edhe u thirrët në një trup dhe bëhuni mirënjohës.
- Fjala e Perëndisë le të rrijë tek ju e pasur me çdo lloj diturie; mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me psalme dhe me himne e me këngë shpirtërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrën tuaj.
- Edhe çdo gjë që të bëni me fjalë ose me punë, të gjitha t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke falënderuar Perëndinë dhe Atin me anë të tij.
- Ju gratë bindjuni burrave tuaj, siç i takon në Zotin.
- Ju burrat duajini gratë tuaja dhe mos i hidhëroni ato.
- Ju bijtë bindjuni prindërve tuaj për të gjitha, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotin.
- Ju etërit mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos u ligështohet zemra.
- Ju shërbëtorët, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj sipas trupit, jo duke u shërbyer vetëm përpara syve, si asish që duan t’u pëlqejnë njerëzve, po me thjeshtësi zemre, duke pasur frikë nga Perëndia.
- Edhe çdo gjë që bëni, me shpirt bëjeni, si Zotit, e jo njerëzve,
- duke ditur se prej Zotit keni për të marrë shpërblimin e trashëgimit; sepse Zotit Krisht i shërbeni.
- Po ai që punon padrejtësi, do të marrë shpërblimin e padrejtësisë së tij, sepse s’ka mbajtje ane.





