AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Filipianëve 4

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Filipianëve
Share

Filipianëve 4

  1. Prandaj, vëllezër të mi të dashur e të përmalluar, gëzimi dhe kurora ime, kështu qëndroni në Zotin, o të dashur.
  2. I lutem Evodisë, i lutem dhe Sintikës, të kenë të njëjtin mendim në Zotin.
  3. Edhe të lutem edhe ty, o shok i thjeshtë, ndihmoi ato të cilat u munduan për ungjillin bashkë me mua dhe me Klementin dhe me bashkëpunëtorë të tjerë të mi, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.
  4. Gëzohuni përherë në Zotin; përsëri do të them: Gëzohuni.
  5. Butësia juaj le të njihet në të gjithë njerëzit. Zoti është afër.
  6. Mos kini kujdes për asgjë; po në çdo gjë kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me falënderime me anë të faljes e të lutjes.
  7. Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja me anë të Jisu Krishtit.
  8. Prandaj, vëllezër, sa janë të vërteta, sa janë të hijshme, sa janë të drejta, sa janë të pastra, sa janë të dashura, sa janë të lavdëruara, nëse ka ndonjë mirësi, dhe nëse ka ndonjë lavdërim, këto mendoni.
  9. Ato që edhe mësuat dhe morët dhe dëgjuat e patë tek unë, këto bëni; dhe Perëndia i paqes do të jetë bashkë me ju.
  10. Edhe u gëzova shumë në Zotin, se tashmë e ripërtëritë kujdesin që keni për mua, për të cilin edhe kujdeseshit, po s’kishit kohën e duhur.
  11. Nuk e them këtë se jam në nevojë; sepse unë jam mësuar të jem i kënaqur me ato që kam.
  12. Di të përulem, di edhe të rroj me të tepërta; në çdo vend e mbi të gjitha jam mësuar edhe të ngopem edhe të kem uri, edhe të rroj me të tepërta edhe të kaloj me skamje.
  13. Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi.
  14. Por bëtë mirë që m’u bëtë shokë në shtrëngimin tim.
  15. Edhe ju, Filipianë, e dini se në fillim të ungjillit, kur dola nga Maqedonia, asnjë kishë nuk më shoqëroi për dhënie e për marrje veç ju vetëm;
  16. sepse edhe në Thesalonik një herë e dy herë në nevojë më dërguat ndihmë.
  17. Jo se kërkoj dhuratë; po kërkoj pemën që shumohet për llogarinë tuaj.
  18. Por të gjitha i kam dhe më teprojnë; jam i mbushur, se prita prej Epafroditit ato që më dërguat ju, aromë me erë të mirë, theror të pranueshëm, të pëlqyer nga Perëndia.
  19. Edhe Perëndia im ka për të mbushur gjithë nevojën tuaj sipas pasurisë së tij në lavdi, me anë të Jisu Krishtit.
  20. Edhe në Perëndinë dhe Atin tonë qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
  21. Përshëndetni çdo shenjt në Jisu Krishtin; ju përshëndesin vëllezërit që janë bashkë me mua.
  22. Ju përshëndesin gjithë shenjtorët, po më fort ata që janë nga shtëpia e Qezarit.
  23. Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me të gjithë ju. Amin.