AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Filipianëve 3

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Filipianëve
Share

Filipianëve 3

  1. Pra, vëllezër të mi, gëzohuni në Zotin. T’jua shkruaj juve këto, për mua nuk është e rëndë, po për ju është siguri.
  2. Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e ligj, ruhuni nga rrethprerja;
  3. sepse rrethprerja jemi ne që adhurojmë Perëndinë me shpirt, dhe që mburremi në Jisu Krishtin, dhe nuk besojmë në mish;
  4. ndonëse dhe unë kam besim edhe në mish. Nëse pandeh ndonjë tjetër se ka besim në mish, unë duhet të kem më tepër.
  5. I rrethprerë tetë ditësh, prej kombi Izraelit, prej fisit të Beniaminit, Hebre prej Hebrenjsh, sipas ligjit Farise,
  6. nga zelli përndjekës i kishës, nga drejtësia që është sipas ligjit pa të metë.
  7. Po ato që ishin për mua fitim, këto i konsiderova dëm për Krishtin.
  8. Po, me të vërtetë mendoj se të gjitha janë dëm kundrejt epërsisë së njohjes së Jisu Krishtit, Zotit tim; për të cilin i refuzova të gjitha, dhe i konsideroj se janë pleh, që të fitoj Krishtin,
  9. dhe të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është prej ligjit, po atë që është me anë të besimit në Krishtin, drejtësinë që është prej Perëndisë mbi besimin;
  10. që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij, dhe pjesëmarrjen e pësimeve të tij, duke u bërë në një formë me vdekjen e tij;
  11. se mbase kështu arrij ngjalljen e të vdekurve.
  12. Jo se unë tashmë e kam marrë çmimin, apo se jam bërë i përsosur, por e ndjek se mbase edhe e kap, gjë për të cilën edhe u kapa prej Jisu Krishtit.
  13. Vëllezër, unë s’e konsideroj veten time se e mora atë. Po një gjë bëj, duke harruar ato që mbetën prapa, dhe duke u shtrirë në ato që janë përpara,
  14. sulem drejt qëllimit për çmimin e thirrjes prej së larti të Perëndisë në Jisu Krishtin.
  15. Gjithë sa jemi të përsosur, pra, këtë le të kemi ndër mend; dhe nëse e mendoni diçka ndryshe, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë.
  16. Po nga ku arritëm, le të ecim me po atë rregull, le të mendojmë po atë gjë.
  17. Vëllezër, bëhuni të bashkëngjashëm me mua, dhe vini re ata që ecin kështu, siç na keni ne shembull.
  18. Sepse shumë, për të cilët ju thosha shumë herë, dhe po ju them edhe tani duke qarë, ecin si armiqtë e kryqit të Krishtit,
  19. fundi i të cilëve është humbje, dhe Perëndia i të cilëve është barku, dhe lavdia e të cilëve është në turpin e tyre, të cilët mendojnë punët e dheut.
  20. Sepse jetesa jonë është në qiejt, që ku edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jisu Krisht,
  21. i cili do të shndërrojë trupin e përuljes sonë, që të bëhet në një formë me trupin e lavdisë së tij, sipas veprimit me të cilin ai mund edhe t’ia nënshtrojë të gjitha vetvetes.