Filipianëve 2
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Filipianëve |
Filipianëve 2
- Nëse ka pra ndonjë ngushëllim në Krishtin, ose ndonjë ngushëllim dashurie, ose ndonjë shoqëri të Shpirtit, ose dhembshuri e përdëllime,
- bëjeni të plotë gëzimin tim, që të jeni në një mendje, duke pasur po atë dashuri, një shpirt të përbashkët e një mendje.
- Mos bëni asgjë nga smira ose mendjemadhësia, por me përulësi, duke i vlerësuar të tjerët më të lartë se veten.
- Mos u mendoni secili për të vetat, por secili edhe për punët e të tjerëve.
- Edhe le të jetë tek ju po ajo mendje që ishte edhe në Jisu Krishtin,
- i cili, duke qenë në formë Perëndie, nuk e quajti rrëmbim të qenët i barabartë me Perëndinë,
- por zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit,
- dhe duke u gjendur me pamje si njeri, e përuli veten e tij, duke u bërë i bindur deri në vdekje, dhe vdekje kryqi.
- Prandaj edhe Perëndia e mbilartësoi dhe i fali emër që është mbi çdo emër,
- që në emrin e Jisuit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiejt e mbi dhe e nën dhe,
- dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.
- Prandaj, të dashurit e mi, siç u bindët përherë, jo si vetëm atëherë kur jam ndër ju, por shumë më tepër tani në mungesën time, punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë e me dridhje,
- sepse Perëndia është ai që vepron tek ju edhe dashurinë edhe veprimin, sipas pëlqimit të tij.
- Bëni gjithçka pa ankesa e pa kundërshtime,
- që të jeni faqebardhë e të përsosur, bij Perëndie pa të metë, në mes të një brezi dredharak e të shtrembër, në mes të të cilëve ndriçoni si yje në botë,
- duke mbajtur fjalën e jetës, për mburrjen time në ditën e Krishtit, se nuk brodha më kot, as u nuk u mundova më kot.
- Po edhe në qoftë se bëhem spërkatje mbi therorin dhe shërbesën e besimit tuaj, gëzohem e ngazëllohem bashkë me të gjithë ju;
- po ashtu edhe ju gëzohuni e ngazëllohuni bashkë me mua.
- Edhe shpresoj në Zotin Jisu, të dërgoj së shpejti tek ju Timotheun, që të më ngushëllohet shpirti edhe mua, kur të marr vesh punët tuaja.
- Sepse s’kam asnjë tjetër që të ketë shpirtin të njëjtë me timin, i cili të kujdeset për punët tuaja me zemër të çiltër.
- Sepse të gjithë kërkojnë të plotësojnë interesat e tyre, jo ato të Jisu Krishtit.
- Edhe e njihni provën e tij, se, si bir me të atin, punoi bashkë me mua për ungjillin.
- Këtë pra, shpresoj të dërgoj menjëherë, sa të marr vesh si do të shkojnë punët e mia.
- Edhe kam besim në Zotin se edhe vetë do të vij së shpejti.
- Por mendova se është e nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin, vëllanë dhe bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma dërguat ju dhe më shërbeu në nevojë,
- sepse kishte shumë mall për ju të gjithë, dhe i vinte keq sepse dëgjuat se qe sëmurë.
- Edhe vërtet u sëmur gati për vdekje; po Perëndia e përdëlleu, dhe jo vetëm atë, por edhe mua, që të mos kem hidhërim mbi hidhërim.
- Prandaj jua dërgova atë juve më me nxitim, që të gëzoheni kur ta shihni përsëri, dhe unë të kem më pak hidhërim.
- Priteni atë në Zotin me çdo gëzim dhe të keni nderim për njerëz të tillë,
- sepse për punën e Krishtit u afrua deri në vdekje, duke rrezikuar jetën e tij, që të plotësojë mungesën e shërbimit tuaj për mua





