2 Korinthianëve 6
| Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthian |
2 Korinthianëve 6
- Edhe si bashkëpunëtorë me të, ju lutemi juve të mos e pritni kot hirin e Perëndisë.
- - Sepse thotë: “Në kohë të pëlqyeshme të dëgjova ty, dhe në ditë shpëtimi të ndihmova ty”; ja tani tek është kohë e pëlqyeshme; ja tani tek është ditë shpëtimi. -
- Për asgjë nuk japim asnjë pengesë, që të mos shahet shërbesa jonë.
- Por në çdo gjë e paraqesim veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë, me shumë durim, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,
- në rrahje, në burgje, në turbullira, në mundime, në pagjumësi, në agjërime;
- në pastrim, në urtësi, në zemërgjerësi, në mirësi, në Shpirt të Shenjtë, në dashuri johipokrite;
- në fjalë të së vërtetës, në fuqi Perëndie; me armët e drejtësisë në dorën e djathtë e në të majtën;
- në lavdi e në çnderim, në emër të mirë e në emër të keq; si gënjeshtarë, po të vërtetë;
- si të panjohur, po të njohur mirë; si njerëz që vdesin, po ja tek rrojmë; si të munduar, po jo të vdekur;
- si të hidhëruar, po gjithnjë të gëzuar; si të varfër, po shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë gjë, po të gjitha i kemi në dorë.
- Goja jonë u hap për ju, o Korinthianë, zemra jonë u zgjerua.
- Nuk jeni ngushtë tek ne, por jeni ngushtë brenda jush.
- Dhe për të na e shpërblyer - ju flas si bijve - bëhuni edhe ju të gjerë.
- Mos hyni në një zgjedhë me të pabesët; sepse ç’pjesë ka drejtësia me padrejtësinë? Edhe ç’shoqëri ka drita me errësirën?
- Edhe ç’gjë të përbashkët ka Krishti me Velialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin?
- Ose ç’pajtim ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, siç tha Perëndia: “Se do të banoj në mes tyre, dhe do të eci; dhe do t’u jem Perëndi, dhe ata do të jenë populli im”.
- Prandaj “dilni nga mesi i tyre”, dhe “shkëputuni nga ata, thotë Zoti”, dhe “mos prekni asgjë të papastër”, dhe “unë do t’ju pres brenda”,
- dhe “do të jem Ati juaj, dhe do të jeni bijtë e mi dhe bijat e mia, thotë Zoti i Gjithëpushtetshëm”.





