AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

2 Korinthianëve 2

Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthian
Share

2 Korinthianëve 2

  1. Edhe me veten time vendosa këtë, të mos vij përsëri tek ju me hidhërim.
  2. Sepse në ju hidhërofsha unë, e cili është ai që më gëzon, në mos qoftë ai që hidhërohet prej meje?
  3. Edhe jua shkrova këtë, që, kur të vij, të mos kem hidhërim nga ata që duhej të kisha gëzim; duke besuar për të gjithë ju, se gëzimi im është i ju të gjithëve.
  4. Sepse me shumë hidhërim e dhimbje zemre ju shkrova me shumë lot, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë që kam me tepricë për ju.
  5. Edhe nëse u bë ndonjë shkak hidhërimi, s’më ka hidhëruar mua vetëm, por, deri diku, që të mos e teproj, të gjithë ju.
  6. Mjaft është për njeriun e tillë ky qortim që u bë prej më të shumtëve;
  7. aq sa përkundrazi duhet më tepër ta ndjeni dhe ta ngushëlloni, që njeriu i tillë të mos mbytet nga hidhërimi i tepërt.
  8. Prandaj ju lutem të tregoni për të dashuri.
  9. Sepse prandaj edhe ju shkrova, që të njoh provën tuaj, nëse jeni të bindur në të gjitha.
  10. Edhe atij që i falni diçka, ia fal edhe unë; sepse nëse kam falur unë diçka, kujtdo që t’ia kem falur, për ju e kam bërë këtë, përpara Krishtit, që të mos teprojë fuqia e Satanait mbi ne;
  11. sepse i dimë mendimet e tij.
  12. Edhe kur erdha në Troadë për të predikuar ungjillin e Krishtit, dhe m’u hap derë për Zotin, nuk pata qetësi në shpirtin tim, sepse nuk gjeta Titon, vëllanë tim,
  13. por si u lashë shëndet atyre, dola në Maqedoni.
  14. Po falënderoj Perëndinë që na bën gjithmonë fitimtarë në Krishtin, dhe që me anën tonë përhap në çdo vend aromën e njohjes së tij.
  15. Sepse aroma e Krishtit jemi ne përpara Perëndisë ndër të shpëtuarit dhe ndër të humburit.
  16. Ndër këta jemi aromë vdekjeje për vdekje, e ndër ata aromë jete për jetë. Edhe cili është i zoti për këto?
  17. Sepse ne nuk e prishim fjalën e Perëndisë me mashtrim, siç bëjnë të shumtët, por me çiltërsi, por si prej Perëndie, përpara Perëndisë, flasim në Krishtin.