Romakëve 3
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Romakëve |
Romakëve 3
- Ç’ka më tepër pra Judeasi? Apo cila është dobia e rrethprerjes?
- Shumë nga çdo anë. Më përpara, sepse fjalët e Perëndisë iu besuan Judenjve.
- Sepse çfarë në mos besuan disa? Mos do të hedhë poshtë besën e Perëndisë pabesia e tyre?
- Qoftë larg; po Perëndia qoftë i vërtetë, dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: “Që të dalësh i drejtë në fjalët e tua, dhe të fitosh kur të gjykohesh”.
- Po në tregon padrejtësia jonë drejtësinë e Perëndisë, ç’duhet të themi? Mos është i padrejtë Perëndia që sjell zemërimin? Si njeri flas.
- Qoftë larg; sepse atëherë si do të gjykojë Perëndia botën?
- Sepse në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime u shtua e vërteta e Perëndisë për lavdi të tij, pse unë më gjykohem si fajtor?
- Edhe, siç shahemi, dhe siç thonë disa se ne themi, pse të mos bëjmë të ligat, që të vijnë të mirat? Dënimi i të këtillëve është i drejtë.
- Çfarë pra? Jemi ne më të mirë se kombet? Pa fjalë jo; sepse e treguam më përpara se edhe Judenjtë edhe Grekët, të gjithë janë nën mëkat,
- siç është shkruar: “Se s’ka të drejtë as një.
- S’ka as një që kupton; s’ka as një që kërkon Perëndinë.
- Të gjithë dolën jashtë udhës, të gjithë u bënë të padobishëm; s’ka kush të bëjë mirë; s’ka as një.
- Varr i hapur është gurmazi i tyre; me gjuhët e tyre flisnin mashtrime; vrer nepërkash është nën buzët e tyre.
- Goja e tyre është plot me mallkim e me hidhërim.
- Këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak.
- Shkretim e mundim kanë nëpër udhët e tyre.
- Edhe udhë paqeje nuk njohën.
- Nuk ka frikë Perëndie përpara syve të tyre”.
- Edhe dimë se sa thotë ligji, ua thotë atyre që janë nën ligj; që të mbyllet çdo gojë, dhe gjithë bota të bëhet fajtore përpara Perëndisë.
- Sepse prej punësh ligji s’ka për të dalë i drejtë asnjë mish përpara tij; sepse me anë të ligjit njihet mëkati.
- Po tani pa ligj u shfaq drejtësia e Perëndisë, duke u dëshmuar nga ligji dhe nga profetët.
- Po, drejtësia e Perëndisë me anë të besimit në Jisu Krishtin në të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë; sepse nuk ka ndonjë farë ndryshimi.
- Sepse të gjithë mëkatuan, dhe të gjithëve u privohet lavdia e Perëndisë,
- edhe dalin të drejtë falas me anë të hirit të tij, me anë të shpërblimit që është në Jisu Krishtin,
- të cilin Perëndia e vuri që përpara që të jetë mjet shpërblimi me anë të besimit në gjakun e tij, që të tregojë drejtësinë e tij, për ndjesën e mëkateve që qenë bërë përpara, me anë të durimit të Perëndisë;
- që të tregojë drejtësinë e tij në këtë kohë, që të jetë ai i drejtë, dhe të nxjerrë të drejtë atë që i beson Jisuit.
- Ku është pra mburrja? U përjashtua. Me cilin ligj? Të veprave? Jo; por me ligjin e besimit.
- Kuptojmë pra se njeriu del i drejtë me anë të besimit, pa veprat e ligjit.
- Apo vetëm i Judenjve është Perëndia? E jo edhe i kombeve? Po, është edhe i kombeve.
- Sepse një është Perëndia që do të nxjerrë të drejtë rrethprerjen prej besimit, dhe parrethprerjen me anë të besimit.
- Ligjin pra hedhim poshtë me anë të besimit? Qoftë larg; por ligjin vërtetojmë.





