AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 1

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 1

  1. Zbulesa e Jisu Krishtit, të cilën ia dha atij Perëndia, që t’u tregojë shërbëtorëve të tij sa duhet të bëhen për së shpejti; dhe i dërgoi e ia shfaqi me anë të engjëllit të tij shërbëtorit të tij Joan,
  2. i cili dëshmoi për fjalën e Perëndisë, dhe për dëshminë e Jisu Krishtit, dhe për sa pa.
  3. Lum ai që lexon dhe ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie, dhe ruajnë sa janë shkruar në atë; sepse koha është afër.
  4. Joani të shtatë kishave në Azi; hir dhe paqe qoftë mbi ju nga ai që është dhe që ishte dhe që vjen; dhe nga të shtatë shpirtrat që janë përpara fronit të atij;
  5. edhe nga Jisu Krishti, që është dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish, dhe prijësi i mbretërve të dheut; atij që na deshi, dhe që na lau nga mëkatet tona me gjakun e tij,
  6. edhe që na bëri mbretër dhe priftërinj të Perëndisë dhe Atit të tij, atij i qoftë lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.
  7. Ja tek vjen bashkë me retë, dhe do ta shohë atë çdo sy, ata që e shpuan atë; dhe do të vajtojnë për atë gjithë kombet e dheut; po, amin.
  8. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, thotë Zoti, Ai që është dhe që ishte dhe që vjen, i Gjithëpushtetshmi.
  9. Unë Joani, që jam edhe vëllai juaj, edhe pjesëtar bashkë me ju në shtrëngim dhe në mbretëri dhe në durim të Jisu Krishtit, qeshë në ujdhesën që quhet Patmo, për fjalën e Perëndisë, dhe për dëshminë e Jisu Krishtit.
  10. U rrëmbeva nga Shpirti ditën e diel; dhe dëgjova prapa meje një zë të madh si zë trumbete,
  11. i cili thoshte: Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit. Edhe: Ç’sheh, shkruaji në libër, dhe dërgojua shtatë kishave, në Efes dhe në Smirnë dhe në Pergamë dhe në Tiatirë dhe në Sardë dhe në Filadelfi e në Laodiki.
  12. Edhe u ktheva të shoh zërin që foli me mua; dhe kur u ktheva, pashë shtatë kandila të artë.
  13. Edhe në mes të shtatë kandilave një që ngjante me bir njeriu, veshur me një rrobë të gjatë deri në fund të këmbëve, dhe ngjeshur pranë gjoksit një brez të artë.
  14. Edhe kryet e tij dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë, si dëborë; dhe sytë e tij si flakë zjarri.
  15. Edhe këmbët e tij ngjanin me bakër të pastër, si të skuqur në furrë; dhe zëri i tij si zë shumë ujërash.
  16. Edhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje; dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë me dy presa; dhe fytyra e tij ndriste si dielli që ndrit në fuqinë e tij.
  17. Edhe kur e pashë atë, rashë në këmbët e tij si i vdekur; dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, e më tha: Mos u frikëso, unë jam i pari dhe i fundit,
  18. edhe ai që rron; dhe qeshë i vdekur, dhe ja tek jam i gjallë në jetë të jetëve. Amin. Edhe kam çelësat e hadit dhe të vdekjes.
  19. Shkruaj ato që pe, dhe ato që janë, dhe ato që do të bëhen pas këtyre;
  20. misterin e të shtatë yjeve që pe në të djathtën time, dhe të shtatë kandilave të artë. Të shtatë yjet janë engjëjt e të shtatë kishave; dhe të shtatë kandilat janë të shtatë kishat.