AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

2 Joanit

Dhiata e Re - Letra e dytë e përgjithshme e Apostull Joanit
Share

2 Joanit

  1. Unë plaku zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj, të cilët unë i dua me të vërtetë, dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që kanë njohur të vërtetën,
  2. për të vërtetën që qëndron ndër ne dhe do të jetë bashkë me ne për gjithë jetën;
  3. bashkë me ju qoftë hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë dhe prej Zotit Jisu Krisht, Birit të Atit, në të vërtetë dhe dashuri.
  4. U gëzova shumë se gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, siç morëm porosi prej Atit.
  5. Edhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj ndonjë porosi të re, por atë që kishim që në fillim, të duam njëri-tjetrin.
  6. Edhe kjo është dashuria, të ecim sipas porosive të atij. Kjo është porosia, siç e dëgjuat që në fillim, që të ecni në atë.
  7. Sepse shumë mashtrues hynë në botë, të cilët nuk pranojnë se Jisu Krishti erdhi në mish; i tillë është mashtruesi dhe antikrishti.
  8. Vështroni veten tuaj, që të mos humbasim ato që punuam, por të marrim pagë të plotë.
  9. Kushdo që shkel porosinë dhe nuk qëndron në mësimin e Krishtit, ky nuk ka Perëndi; ai që qëndron në mësimin e Krishtit, ky ka edhe Atin edhe Birin.
  10. Në qoftë se vjen ndonjë te ju dhe nuk sjell këtë mësim, mos e merrni në shtëpi, dhe mos i thoni atij: Përshëndetje.
  11. Sepse ai që i thotë atij: Përshëndetje, bëhet pjesëtar në veprat e tij të liga.
  12. Ndonëse pata shumë për t’ju shkruar juve, nuk desha t’jua shkruaj me letër e me bojë; po shpresoj të vij tek ju, dhe të flas gojë më gojë, që të jetë i plotë gëzimi ynë.
  13. Të përshëndesin djemtë e motrës tënde të zgjedhur. Amin.