2 Timotheut 1
| Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Timotheut |
2 Timotheut 1
- Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Jisu Krishtin,
- Timotheut, birit të dashur, i qoftë hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë, Atit, dhe prej Jisu Krishtit, Zotit tonë.
- Falënderoj Perëndinë, të cilin e lus që nga prindërit e mi me ndërgjegje të kthjellët, se pa pushim të kujtoj në faljet e mia natë e ditë,
- edhe se, kur kujtoj lotët e tu, kam mall të të shoh, që të mbushem me gëzim;
- sepse sjell ndër mend besimin tënd pa hipokrizi që është tek ti, i cili qëndroi më parë te gjyshja jote Loida, dhe tek nëna jote Evnika; dhe më është mbushur mendja se ka qëndruar edhe tek ti.
- Për këtë shkak të kujtoj ty të ngjallësh përsëri dhuratën e Perëndisë, e cila është tek ti me anë të vënies së duarve të mia mbi ty.
- Sepse Perëndia s’na ka dhënë shpirt frike, po fuqie dhe dashurie e urtësie.
- Mos ki turp pra për dëshminë e Zotit tonë, dhe për mua të burgosurin e tij; por vuaj bashkë me mua për ungjillin sipas fuqisë së Perëndisë;
- i cili na shpëtoi dhe na thirri me thirrje të shenjtë, jo sipas punëve tona, po sipas vendimit të tij dhe sipas hirit që na u dha në Jisu Krishtin që përpara kohëve të përjetshme,
- edhe që u shfaq tani me anë të dukjes së shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, i cili prishi vdekjen, dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit.
- Për këtë u vura unë predikues dhe apostull e mësues i kombeve;
- gjë për të cilën edhe i pësoi këto; por nuk kam turp; sepse e di kujt i kam besuar, dhe më është mbushur mendja se ai mund të ruajë atë që më besoi deri në atë ditë.
- Ruaj formën e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje, me besim e me dashuri që është në Jisu Krishtin.
- Të mirën që t’u besua ruaje me anë të Shpirtit të Shenjtë që rri ndër ne.
- Ti e di këtë, se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, prej të cilëve është Figjeli dhe Hermogjeni.
- Zoti dhëntë përdëllim në shtëpinë e Onisiforit, sepse shumë herë më dha zemër dhe s’pati turp prej hekurave të mia,
- po kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë nxitim dhe më gjeti.
- Zoti i dhëntë atij të gjejë përdëllim nga Zoti në atë ditë. Edhe sa më shërbeu në Efes, ti i di mirë.





