1 Timotheut 1
| Dhiata e Re - Letra e parë e Apostull Pavlit drejtuar Timotheut |
1 Timotheut 1
- Pavli, apostull i Jisu Krishtit, sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë, dhe të Zotit Jisu Krisht, shpresës sonë,
- Timotheut, djalit të thjeshtë në besim, i qoftë hir, përdëllim, paqe, prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Jisu Krishtit, Zotit tonë.
- Siç t’u luta, kur vija për në Maqedoni, të presësh në Efes, që të porositësh disa veta të mos mësojnë mësime të tjera,
- as të mos u vënë vesh përrallave e gjenealogjive që s’kanë të mbaruar, të cilat sjellin grindje më tepër se ndërtim në besimin e Perëndisë, kështu bëj.
- Edhe fundi i porosisë është dashuri prej zemre të kthjellët, dhe prej ndërgjegjeje të mirë e prej besimi pa hipokrizi,
- prej të cilave disa veta u larguan e u kthyen në fjalë të kota,
- duke dashur të jenë mësues ligji, ndonëse s’kuptojnë as ato që thonë, as ato që i bëjnë për të vërteta.
- Edhe e dimë, se ligji është i mirë, në qoftë se e përdor atë njeriu me ligjshmëri,
- duke ditur këtë, se ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të paudhët e për të pabindurit, për ata që s’kanë frikë Perëndinë e për mëkatarët, për të shtrembërit e për të ndyrët, për atëvrasësit e nënëvrasësit, për njerivrasësit,
- për të përdalët, për ata që shkojnë me meshkuj, për ata që shesin njerëz, për gënjeshtarët, për ata që shkelin betimin, dhe për çdo gjë tjetër që del kundër mësimit të shëndoshë,
- sipas ungjillit të lavdisë së të lumturit Perëndi, që m’u besua mua.
- Edhe falënderoj Jisu Krishtin, Zotin tonë, që më dha fuqi, se më konsideroi për besnik e më vuri në shërbim mua,
- që më përpara isha blasfemues, e përndjekës e sharës; por u përdëlleva, sepse pa ditur i bëra në pabesi.
- Edhe hiri i Zotit tonë teproi mbi mua me besim e me dashuri që është në Jisu Krishtin.
- Për të besuar është fjala dhe e denjë për t’u pranuar, se Jisu Krishti erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarë, prej të cilëve i pari jam unë.
- Po prandaj u përdëlleva, që të tregojë Jisu Krishti më përpara tek unë gjithë zemërgjerësinë, për shembull mbi ata që kanë për t’i besuar atij për jetë të përjetshme.
- Edhe mbretit të jetëve, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të ditur, i qoftë nder dhe lavdi në jetë të jetëve. Amin.
- Këtë porosi po të lë në dorë ty, o bir Timothe, sipas profecive që u folën më përpara për ty, që të luftosh sipas tyre luftën e mirë,
- duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë, të cilën disa duke e hedhur tej ranë jashtë nga besimi.
- Prej këtyre është Imeneu dhe Aleksandri, të cilët i kam dhënë në dorë të satanait, që të mësohen të mos blasfemojnë.





