1 Thesalonikasve 1
| Dhiata e Re - Letra e parë e Apostull Pavlit drejtuar Thesalonik |
1 Thesalonikasve 1
- Pavli dhe Siluani dhe Timotheu, kishës së Thesalonikasve që është në Perëndinë, Atin, dhe në Zotin Jisu Krisht; hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jisu Krisht.
- Falënderoj Perëndinë përherë për të gjithë ju, dhe ju kujtojmë në faljet tona,
- duke kujtuar pa pushim punën e besimit tuaj, dhe mundimin e dashurisë, dhe durimin e shpresës në Zotin tonë Jisu Krisht, përpara Perëndisë edhe Atit tonë.
- Sepse e dimë, vëllezër të dashur prej Perëndisë, zgjedhjen tuaj.
- Sepse ungjilli ynë nuk u bë tek ju me fjalë, po edhe me fuqi, edhe me Shpirt të Shenjtë, edhe me shumë bindje, siç e dini ç’bëmë ndërmjet jush për ju.
- Edhe ju bëtë siç bëmë ne dhe Zoti, sepse e pritët fjalën në shtrëngime të shumta, po me gëzim të Shpirtit të Shenjtë;
- aq sa u bëtë shembull për të gjithë besimtarët në Maqedoni e në Akai.
- Sepse prej jush oshëtiu fjala e Zotit, jo vetëm në Maqedoni e në Akai, po edhe në çdo vend arriti zëri i besimit tuaj në Perëndinë, kaq sa ne s’kemi nevojë të flasim gjë;
- sepse vetë ata tregojnë për ne, çfarë hyrjeje patëm ndër ju, dhe si u kthyet nga idhujt tek Perëndia, që t’i shërbeni Perëndisë së gjallë e të vërtetë,
- dhe të prisni Birin e tij nga qiejt, të cilin e ngjalli prej së vdekurish, Jisuin, që na shpëton nga zemërimi që vjen.





