Filipianëve 1
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Filipianëve |
Filipianëve 1
- Pavli dhe Timotheu, shërbëtorë të Jisu Krishtit, të gjithë shenjtorëve në Jisu Krishtin, që janë në Filipë, bashkë me episkopë e me dhiakonë;
- hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jisu Krisht.
- Falënderoj Perëndinë tim sa herë ju kujtoj ju,
- sepse gjithnjë në çdo lutje timen lutem me gëzim për të gjithë ju,
- për pjesëmarrjen tuaj në ungjill që prej ditës së parë deri tani,
- duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi të bëjë punë të mirë tek ju, do ta mbarojë deri në ditën e Jisu Krishtit.
- Siç është e drejtë për mua të mendoj këtë për të gjithë ju, sepse ju kam në zemër, se edhe në prangat e mia, edhe në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit ju të gjithë keni qenë pjesëtarë bashkë me mua në hir.
- Sepse dëshmitari im është Perëndia, se kam shumë mall për të gjithë ju me dashuri Jisu Krishti.
- Edhe për këtë falem, që të teprojë dashuria juaj dhe shumë e më shumë në njohje e në çdo kuptim,
- që të dalloni ndryshimet, që të jeni të çiltër e të papenguar deri në ditën e Krishtit,
- plot me fryte drejtësie, që janë me anë të Jisu Krishtit për lavdi dhe mburrje të Perëndisë.
- Edhe dua ta dini, vëllezër, se sa më ndodhën mua ndihmuan më tepër për përparimin e ungjillit;
- aq sa prangat e mia për Krishtin u bënë të dukshme në gjithë gjykatën e në gjithë të tjerët,
- dhe më të shumtët e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga prangat e mia, kanë marrë më tepër guxim për të thënë pa frikë fjalën.
- Disa vërtet për smirë dhe për përçarje e predikojnë Krishtin, por disa nga dëshira e mirë.
- Ata që e predikojnë Krishtin për përçarje, jo me çiltërsi, mendojnë të shtojnë mundime në prangat e mia.
- Po këta nga dashuria, duke e ditur se jam vënë për mbrojtjen e ungjillit.
- Ç’del pra? Veçse me çdo lloj mënyre, qoftë me pretekst, qoftë me të vërtetë, Krishti predikohet, dhe për këtë gëzohem, dhe do të gëzohem.
- Sepse e di se kjo do të më dalë për shpëtim, me anë të lutjeve tuaja dhe të ndihmës së Shpirtit të Jisu Krishtit,
- sipas pritjes së padurueshme dhe shpresës sime se nuk do të turpërohem në asgjë, po me çdo guxim, si gjithmonë, edhe tani do të madhërohet Krishti në trupin tim, qoftë me anë jete, qoftë me anë vdekjeje.
- Sepse për mua jeta është Krishti dhe vdekja fitim.
- Po në qoftë se të jetuarit në trupin tim është që të sjellë fryt puna ime, atëherë nuk di ç’të zgjedh.
- Dhe shtrëngohem nga të dyja, duke pasur nga një anë dëshirën të iki e të jem bashkë me Krishtin; sepse kështu është shumë më mirë;
- po nga ana tjetër qëndrimi im në trup është më i nevojshëm për ju.
- Edhe këtë me siguri e di se do të mbetem dhe do të qëndroj bashkë me të gjithë ju, për mbarësinë tuaj në besim e për gëzimin tuaj,
- që të teprojë nëpërmjet meje mburrja juaj në Jisu Krishtin, me ardhjen time përsëri tek ju.
- Vetëm jetoni denjësisht në ungjillin e Krishtit, që të dëgjoj për ju, ose kur të vij e t’ju shoh, ose për së largu kur s’jam aty, se qëndroni në një shpirt, duke u përpjekur së bashku me një shpirt për besimin e ungjillit;
- dhe pa u trembur në asgjë nga kundërshtarët, gjë që për ata do të jetë dëftesë humbjeje, po për ju shpëtimi, dhe kjo nga Perëndia.
- Sepse juve ju është falur për hir të Krishtit, jo vetëm t’i besoni atij, por edhe të pësoni për të,
- duke bërë po atë luftë që patë tek unë dhe tani e dëgjoni tek unë





