AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Veprat e Apostujve 28

Dhiata e Re - Veprat e Apostujve
Share

Veprat e Apostujve 28

  1. Edhe si shpëtuan, atëherë e njohën se ujdhesa quhet Melita (Malta).
  2. Edhe barbarët rrëfyen për ne mirësi jo të pakët; sepse ndezën zjarr e na morën brenda të gjithë, sepse binte shi e ishte ftohtë.
  3. Edhe kur mblodhi Pavli ca shkarpa dhe i vuri në zjarr, doli nga të nxehtit një nepërkë e iu ngjit atij në dorë.
  4. Edhe barbarët, si panë egërsirën që varej nga dora e tij, i thoshin njëri-tjetrit: Me të vërtetë ky njeri qenka vrasës, të cilin, ndonëse shpëtoi prej detit, gjyqi i Perëndisë nuk e la të rrojë.
  5. Po ai e shkundi egërsirën në zjarr dhe nuk pësoi ndonjë gjë të keqe.
  6. Edhe ata pritnin të ënjtej ose papandehur të binte përdhe i vdekur; po pasi pritën shumë kohë dhe shihnin se asnjë e keqe s’iu bë, ndërruan mendje e thoshin se është perëndi.
  7. Edhe rreth atij vendi ishin ara të të parit të ujdhesës që quhej Pupli, i cili na priti e na mbajti në shtëpi miqësisht tri ditë.
  8. Edhe rastisi që i ati i Puplit të dergjet i sëmurë prej ethesh e prej barkut të keq; tek i cili Pavli, si hyri, u fal, dhe vuri duart mbi të, dhe e shëroi.
  9. Edhe si u bë kjo, edhe të tjerët, gjithë sa kishin sëmundje në ujdhesë, vinin tek ai dhe shëroheshin;
  10. të cilët edhe na nderuan me shumë ndere, dhe kur do të iknim, na dhanë ato që kishim nevojë.
  11. Edhe pas tre muajsh ikëm me një lundër aleksandrine, që kishte dimëruar në ujdhesë, e cila kishte shenjën e Dioskurëve.
  12. Edhe si arritëm në Sirakuzë, qëndruam atje tri ditë.
  13. Edhe që andej duke ardhur rrotull arritëm në Rexho; dhe pas një dite pasi fryu erë shiu, për dy ditë erdhëm në Pocioli.
  14. Atje gjetëm vëllezër, të cilët na u lutën të qëndrojmë tek ata shtatë ditë, dhe kështu u nisëm për në Romë.
  15. Edhe që andej, kur dëgjuan për ne, na dolën përpara deri në Foro Apio e deri në të Tri Tavernat, vëllezërit, të cilët kur i pa Pavli, falënderoi Perëndinë, dhe mori zemër.
  16. Edhe kur erdhëm në Romë, kryeqindëshi ia dorëzoi të lidhurit komandantit të ushtrisë; po Pavlit iu dha leje të rrijë më vete bashkë me ushtarin që e ruante.
  17. Edhe pas tri ditësh Pavli thërriti të parët e Judenjve; dhe si u mblodhën ata, u thoshte: Burra vëllezër, ndonëse unë s’kam bërë gjë kundër popullit ose kundër zakoneve të etërve tanë, më dhanë nga Jerusalemi të lidhur në duart e romakëve,
  18. të cilët si më pyetën, deshën të më lëshonin, sepse s’kishte asnjë shkak për vdekje tek unë.
  19. Po pasi Judenjtë flisnin kundër, u shtrëngova të thërres në Qezarin, jo se kam për të akuzuar për gjë kombin tim.
  20. Për këtë punë pra ju thirra ju, që t’ju shoh e t’ju flas; sepse për shpresën e Izraelit jam lidhur me këtë varg hekurash.
  21. Edhe ata i thanë: Ne as letra nuk kemi marrë për ty nga Judea, as nuk erdhi ndonjë nga vëllezërit të tregojë a të flasë gjë të keqe për ty.
  22. Po duam të dëgjojmë prej teje ç’ke ndër mend; sepse për këtë sekt ne dimë se kudo kundërshtohet.
  23. Edhe pasi i caktuan atij një ditë, erdhën më shumë veta tek ai atje ku kishte rënë, të cilëve ai u tregonte me dëshmira mbretërinë e Perëndisë, duke u mbushur atyre mendjen për punët e Jisuit dhe nga ligji i Moisiut dhe nga profetët, që në mëngjes e deri në mbrëmje.
  24. Edhe disa bindeshin në ato që u thoshte, po të tjerë nuk besonin.
  25. Edhe si nuk ishin në një fjalë në mes tyre, iknin, pasi tha Pavli një fjalë, se mirë u foli Shpirti i Shenjtë etërve tanë me anë të profetit Isaia,
  26. duke thënë: “Shko te ky popull dhe thuaj: Për të dëgjuar do të dëgjoni, e nuk do të merrni vesh; dhe duke parë do të shihni, e nuk do të kuptoni,
  27. sepse u ngurtësua zemra e këtij populli, dhe me veshët dëgjuan rëndë, dhe sytë e tyre i mbyllën; se mos ndonjëherë shohin me sytë e dëgjojnë me veshët, dhe kuptojnë me zemër, dhe kthehen e i shëroj ata”.
  28. Le të jetë pra e ditur për ju, se shpëtimi i Perëndisë iu dërgua kombeve; ata edhe do ta dëgjojnë.
  29. Edhe si tha këto, Judenjtë ikën, duke u ngrënë me shumë fjalë njëri me tjetrin.
  30. Edhe Pavli qëndroi dy vjet plot në një shtëpi të veçantë me pagesë; dhe priste gjithë ata që vinin tek ai,
  31. duke predikuar mbretërinë e Perëndisë e duke u mësuar ato punë që kishin të bënin me Zotin Jisu Krisht, me gjithë guxim, pa pengesë.