AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Veprat e Apostujve 4

Dhiata e Re - Veprat e Apostujve
Share

Veprat e Apostujve 4

  1. Edhe ndërsa ata ishin duke i folur popullit, erdhën mbi ata profetët dhe i pari i tempullit e Saduqenjtë,
  2. duke u zemëruar, sepse mësonin popullin dhe predikonin ngjalljen prej së vdekurish me anë të Jisuit,
  3. edhe vunë duart mbi ata, dhe i vunë nën ruajtje deri të nesërmen; sepse tashmë ishte ndaj të ngrysur.
  4. Edhe shumë nga ata që dëgjuan fjalën besuan; dhe u bë numri i njerëzve rreth pesë mijë.
  5. Edhe të nesërmen u mblodhën në Jerusalem të parët e tyre dhe pleqtë e shkruesit,
  6. edhe Ana kryeprifti e Kaiafa e Joani e Aleksandri, dhe gjithë sa ishin prej fare kryepriftërie.
  7. Edhe si i vunë ata në mes, i pyesnin: Me çfarë fuqie e me çfarë emri e bëtë këtë ju?
  8. Atëherë Pjetri u mbush me Shpirt të Shenjtë, e u tha atyre: O të parë të popullit dhe pleq të Izraelit,
  9. në qoftë se ne pyetemi sot për një të mirë që u bë mbi një njeri të sëmurë, me çfarë fuqie u shërua ky,
  10. le të jetë e ditur për gjithë ju dhe për gjithë popullin e Izraelit, se në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, të cilin ju e kryqëzuat, po të cilin Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, me anë të këtij qëndron ky tani përpara jush i shëndoshë.
  11. Ky është guri që s’u përfill prej jush që ndërtoni, i cili u bë kreu i qoshes.
  12. Edhe nuk ka shpëtim me anë të asnjë tjetri; sepse asnjë tjetër emër nën qiell s’është dhënë në mes njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtojmë.
  13. Edhe duke parë guximin e Pjetrit e të Joanit, dhe duke kuptuar, se ishin njerëz të paditur e të thjeshtë, çuditeshin, por i njihnin se kishin qenë bashkë me Jisuin.
  14. Edhe si shihnin njeriun e shëruar duke ndenjur bashkë me ata, s’kishin se ç’të thoshin kundër.
  15. Atëherë i urdhëruan ata të dalin jashtë kuvendit, dhe dhanë e morën në mes tyre,
  16. duke thënë: Ç’t’u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse u bë një çudi e shënuar me anë të tyre, kjo është e dukshme për të gjithë ata që rrinë në Jerusalem, dhe nuk mund ta mohojmë.
  17. Po që të mos përhapet më tepër në mes të popullit, le t’i frikësojmë ashpër, që të mos i flasin më për këtë emër asnjë njeriu.
  18. Edhe i thërritën e i porositën të mos flasin fare, as të mos mësojnë në emrin e Jisuit.
  19. Po Pjetri e Joani iu përgjigjën atyre, e u thanë: Në është e udhës përpara Perëndisë t’ju dëgjojmë ju më tepër se Perëndinë, gjykoni.
  20. Sepse ne nuk mund të mos flasim për sa pamë e dëgjuam.
  21. Edhe ata, si i frikësuan përsëri, i lëshuan, sepse nuk gjenin se si t’i mundonin ata, për shkak të popullit, sepse të gjithë lavdëronin Perëndinë për atë që u bë.
  22. Sepse njeriu, tek i cili u bë kjo çudi e shërimit, ishte më tepër se dyzet vjeç.
  23. Edhe si u lëshuan, erdhën tek të tyret, dhe njoftuan për gjithë sa u thanë atyre kryepriftërinjtë dhe pleqtë.
  24. Edhe ata kur dëgjuan, me një mendje ngritën zërin tek Perëndia, dhe thanë: O Zot, ti je Perëndia, që bëre qiellin dhe tokën dhe detin, dhe gjithë sa janë në ta;
  25. Ti që ke thënë me anë të gojës së shërbëtorit tënd David: “Përse shfrynë kombet dhe shkuan ndër mend punë të kota?
  26. Mbretërit e dheut qëndruan përpara dhe të parët u mblodhën kundër Zotit, dhe kundër të Lyerit të tij”.
  27. Sepse me të vërtetë u mblodhën kundër birit tënd të shenjtë Jisu, të cilin e leve me vaj, edhe Irodi e Ponti Pilat bashkë me kombet e me popujt e Izraelit,
  28. që të bëjnë gjithë sa urdhëroi që përpara të bëhen dora jote dhe këshilla jote.
  29. Edhe tani, o Zot, vështro në kërcënimet e tyre ndaj nesh, dhe jepu shërbëtorëve të tu të flasin fjalën tënde me çdo guxim,
  30. duke zgjatur dorën tënde të bëhen shërime e shenja e çudira në emër të birit tënd të shenjtë Jisu.
  31. Edhe si u lutën ata, u tund vendi ku ishin mbledhur, dhe u mbushën që të gjithë me Shpirt të Shenjtë, dhe flisnin fjalën e Perëndisë me guxim.
  32. Edhe zemra e shpirti i shumicës së atyre që kishin besuar ishte një; dhe asnjë nuk thoshte për ndonjë gjë nga pasuritë e tij se është e vetja, po të gjitha i kishin të përbashkëta.
  33. Edhe me fuqi të madhe apostujt jepnin dëshminë e ngjalljes së Zotit Jisu; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata.
  34. Sepse asnjë në mes tyre nuk ishte në nevojë; sepse gjithë sa kishin ara a shtëpi, i shisnin dhe sillnin çmimet e atyre që shisnin,
  35. edhe i vinin në këmbët e apostujve; dhe i jepnin gjithësecilit sipas nevojës që të kishte.
  36. Edhe Josiu, i cili prej apostujve u përmbiquajt Varnava, që e përkthyer do me thënë Bir Ngushëllimi, i cili ishte Levit Qipriot nga kombi,
  37. shiti një arë që kishte dhe pruri asprat e i vuri në këmbët e apostujve.