AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Veprat e Apostujve 3

Dhiata e Re - Veprat e Apostujve
Share

Veprat e Apostujve 3

  1. Edhe Pjetri e Joani po ngjiteshin bashkë në tempull në falje në orën e nëntë.
  2. Edhe një njeri, që ishte i çalë që nga barku i së ëmës, po e sillnin; këtë e vinin përditë në derën e tempullit që quhej dera e Bukur, që të lypte lëmoshë nga ata që hynin në tempull.
  3. Ky, kur pa Pjetrin dhe Joanin se do të hynin në shenjtërore, lypte të marrë lëmoshë nga ata.
  4. Po Pjetri bashkë me Joanin hodhi sytë mbi të e tha: Shiko te ne.
  5. Edhe ai i shikonte ata me kujdes, duke shpresuar të marrë gjësendi nga ata.
  6. Atëherë Pjetri tha: Argjend dhe ar nuk kam; po atë që kam, këtë ta jap. Në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, ngrihu dhe ec.
  7. Edhe si e kapi atë prej dorës së djathtë e ngriti; dhe përnjëherë iu forcuan tabanet e nyjet e këmbëve;
  8. Edhe duke kërcyer përpjetë qëndroi më këmbë dhe ecte; dhe hyri bashkë me ata në tempull, duke ecur e duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë.
  9. Edhe gjithë populli e pa atë duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë.
  10. Edhe e njihnin atë, se ky ishte ai që rrinte në derën e Bukur të tempullit për lëmoshë; dhe u mbushën me çudi e me habi për këtë punë që i ngjau atij.
  11. Edhe ndërsa i çali që u shërua mbante Pjetrin dhe Joanin, gjithë populli vërshoi pas tyre në portikun që quhet i Solomonit, duke u habitur.
  12. Edhe Pjetri kur pa, iu përgjigj popullit: O burra Izraelitë, pse çuditeni për këtë? Dhe pse hidhni sytë mbi ne, sikur me fuqinë ose me besimin tonë e kemi bërë këtë njeri të ecë?
  13. Perëndia i Abrahamit dhe i Isakut dhe i Jakovit, Perëndia i etërve tanë, lavdëroi Birin e tij Jisu, të cilin ju e dorëzuat, dhe e mohuat përpara Pilatit, ndonëse ai e pa të udhës ta lëshonte.
  14. Po ju mohuat Shenjtin dhe të Drejtin, dhe kërkuat t’u jepet juve një burrë vrasës.
  15. Edhe vratë Kryet e jetës, që Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, të cilit ne i jemi dëshmitarë.
  16. Edhe me anë të besimit në emrin e tij, këtë që shihni dhe e njihni, emri i tij e forcoi, dhe besimi që është me anë të tij i dha këtij shëndet të plotë përpara gjithë jush.
  17. Edhe tani, o vëllezër, e di se e bëtë nga padija, sikurse edhe të parët tuaj.
  18. Po Perëndia sa tha që përpara me anë të gojës së gjithë profetërve të tij, se Krishti kishte për të pësuar, i përmbushi kështu.
  19. Pendohuni pra dhe kthehuni, që të shuhen mëkatet tuaja, që të vijnë kohë prehjeje prej faqes së Zotit,
  20. edhe të dërgojë Jisu Krishtin, që ju është predikuar që përpara juve;
  21. të cilin duhet ta mbajë qielli deri në ato kohë që do të vijnë mbi vend gjithë ato që foli Perëndia që në fillim të jetës me anë të gojës së gjithë shenjtorëve të tij profetë.
  22. Sepse Moisiu u tha etërve “Se Zoti Perëndia do të ngrerë ndër ju nga vëllezërit tuaj një profet si unë; atë dëgjoni për të gjitha ato që t’ju flasë juve.
  23. Edhe çdo shpirt që nuk do të dëgjojë atë profet, do të shuhet nga populli”.
  24. Edhe gjithë profetët sa folën që nga Samuili e tutje lajmëruan edhe për këto ditë.
  25. Ju jeni bijtë e profetëve dhe të dhiatës që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: “Edhe në farën tënde do të bekohen gjithë kombet e dheut”.
  26. Te ju më parë Perëndia, pasi e ngjalli Birin e tij Jisu, e dërgoi që t’ju bekojë ju, duke e kthyer gjithësecilin prej jush nga ligësitë tuaja.