AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Joani 13

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit
Share

Joani 13

  1. Edhe përpara të kremtes së pashkës Jisui duke ditur se i erdhi ora që të shkojë prej kësaj bote te Ati, pasi deshi të tijtë që ishin në botë, deri në fund i deshi ata.
  2. Edhe si shkoi darka, djalli tanimë kishte vënë në zemrën e Juda Iskariotit, të birit të Simonit, që ta tradhtojë.
  3. Jisui, duke ditur se Ati ia ka dhënë në duar të gjitha, dhe se nga Perëndia doli dhe tek Perëndia shkon,
  4. ngrihet nga darka, dhe zhvesh rrobat e tij, dhe mori një pëlhurë liri dhe ngjeshi veten e tij.
  5. Pastaj vë ujë në legen, dhe zuri t’u lajë këmbët nxënësve, dhe t’ua fshijë me pëlhurën e lirtë, me të cilën ishte ngjeshur.
  6. Vjen, pra, te Simon Pjetri; dhe ai i thotë: Zot, ti më lan këmbët?
  7. Jisui u përgjigj e i tha: Atë që bëj unë ti nuk e di tani, por do ta njohësh pastaj.
  8. Pjetri i thotë: Nuk do të m’i lash këmbët për gjithë jetën. Jisui iu përgjigj: Në mos t’i lafsha, nuk ke pjesë me mua.
  9. Simon Pjetri i thotë: Zot, jo këmbët e mia vetëm, po edhe duart, edhe kryet.
  10. Jisui i thotë: Ai që është i larë s’ka nevojë vetëm të lajë këmbët, por është i tëri i pastruar; dhe ju jeni të pastruar, po jo të gjithë.
  11. Sepse e dinte atë që do ta tradhtonte; prandaj tha: Nuk jeni të gjithë të pastruar.
  12. Pasi u lau pra atyre këmbët dhe mori rrobat e tij, ndenji përsëri, e u tha atyre: E dini se ç’ju bëra juve?
  13. Ju më thërrisni: Mësues dhe Zot; dhe mirë thoni, sepse Jam.
  14. Nëse ju lava pra juve këmbët unë Zoti dhe Mësuesi, dhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.
  15. Sepse ju lashë shembull juve, që të bëni edhe ju, siç ju bëra unë juve.
  16. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve se shërbëtori nuk është më i madh se i zoti, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.
  17. Nëse i dini këto, jeni të lumtur, në i bëni.
  18. Nuk i them këto për ju të gjithë; unë di cilët kam zgjedhur; po që të plotësohet shkrimi “Ai që hante bukën bashkë me mua, ngriti thembrën e tij kundër meje”.
  19. Që tani po jua them juve këtë, përpara se të bëhet, që të besoni kur të bëhet se unë jam.
  20. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, ai që pret atë që të dërgoj unë, më ka pritur mua; dhe ai që të më presë mua, ka pritur atë që më dërgoi mua.
  21. Jisui pasi tha këto, u turbullua në shpirt, dhe dëshmoi e tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se një prej jush do të më tradhtojë.
  22. Nxënësit pra shikonin njëri-tjetrin, e s’dinin për cilin thotë.
  23. Edhe një nga nxënësit e tij ishte mbështetur në gjirin e Jisuit, të cilin Jisui e donte.
  24. Simon Pjetri pra i bëri me shenjë, që ta pyesë, cili është ai për të cilin thotë.
  25. Edhe ai ra mbi krahërorin e Jisuit e i thotë: Zot, cili është ai?
  26. Jisui përgjigjet: Eshtë ai, që pasi unë të lyej kafshatën t’ia jap. Edhe leu kafshatën e ia jep Juda Iskariotit, të birit të Simonit.
  27. Edhe pas kafshatës, atëherë Satanai hyri tek ai. Jisui pra i thotë: Ç’ke për të bërë, bëje më shpejt.
  28. Por këtë asnjë prej atyre që kishin ndenjur në tryezë nuk e kuptoi për çfarë i tha atij.
  29. Sepse disa pandehnin se Jisui i thotë: Bli ç’na duhet për të kremten, ose t’u japë diçka të varfërve; sepse Juda kishte kuletën e parave.
  30. Ai pra, si mori kafshatën, doli jashtë menjëherë; dhe ishte natë.
  31. Si doli pra ai, Jisui thotë: Tani u lavdërua i Biri i njeriut, edhe Perëndia u lavdërua në të.
  32. Nëse u lavdërua Perëndia në të, edhe Perëndia do ta lavdërojë atë në veten e tij, dhe menjëherë do ta lavdërojë.
  33. Djem, edhe pak jam bashkë me ju. Do të më kërkoni; dhe siç u thashë Judenjve, se ku shkoj unë ju s’mund të vini, po edhe juve jua them tani.
  34. Një porosi të re ju lë juve: Të doni njëri-tjetrin, siç ju desha unë ju edhe ju të doni njëri-tjetrin.
  35. Prej kësaj do t’ju njohin ju të gjithë se jeni nxënësit e mi, në qoftë se keni dashuri për njëri-tjetrin.
  36. Simon Pjetri i thotë: Zot, ku shkon? Jisui iu përgjigj: Ku shkoj unë, ti s’mundesh tani të më vish pas; po pastaj do të më vish pas.
  37. Pjetri i thotë: Zot, pse nuk mund të të vij pas tani? Shpirtin tim do ta vë për ty.
  38. Jisui iu përgjigj: Shpirtin tënd do ta vësh për mua! Me të vërtetë, me të vërtetë po të them ty, nuk do të këndojë gjeli, deri sa të më mohosh tri herë.