Llukai 24
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 24
- Edhe ditën e parë të javës, herët që me natë, erdhën mbi varr, e prunë ato erërat e mira, të cilat i kishin bërë gati; ishin edhe disa veta bashkë me ato.
- Edhe gjetën gurin të rrokullisur prej varrit.
- Edhe si hynë brenda, nuk e gjetën trupin e Zotit Jisu.
- Edhe ndërsa këto po vrisnin mendjen për këtë punë, ja tek qëndruan përpara tyre dy burra me rroba që vetëtinin.
- Edhe meqenëse ato u frikësuan, dhe ulën fytyrën në dhe, ata u thanë atyre: Ç’kërkoni të gjallin ndër të vdekurit?
- Nuk është këtu, po u ngjall. Kujtohuni si ju pati folur juve, kur qe ende në Galile,
- duke thënë se Biri i njeriut duhet të jepet në duar njerëzish mëkatarë dhe të kryqëzohet, dhe të tretën ditë të ngjallet.
- Edhe u ranë ndër mend atyre fjalët e tij.
- Edhe si u kthyen nga varri, lajmëruan për të gjitha këto të njëmbëdhjetët dhe gjithë të tjerët.
- Edhe ishin Maria Magdalena, dhe Joana, dhe Maria e ëma e Jakovit, dhe të tjerat bashkë me to, të cilat u thoshin apostujve këto fjalë.
- Por fjalët e tyre u dukën përpara atyre si fjalë të zbrazëta, dhe nuk u besonin atyre.
- Edhe Pjetri u ngrit e shkoi me vrap në varr; dhe u ul e pa vetëm pëlhurat që ishin përdhe. Edhe iku duke u çuditur me veten e tij për këtë punë.
- Edhe ja dy veta prej tyre ishin duke shkuar atë ditë në një fshat që quhej Emaus, që ishte gjashtëdhjetë stade larg nga Jerusalemi.
- Edhe ata flisnin në mes tyre për gjithë këto që kishin ngjarë.
- Edhe kur po flisnin e diskutonin njëri me tjetrin, u afrua edhe vetë Jisui e ecte bashkë me ta.
- Po sytë e tyre mbaheshin për të mos e njohur atë.
- Edhe ai u tha atyre: ç’janë këto fjalë që flitni njëri me tjetrin duke ecur, dhe pse jeni të vrenjtur?
- Edhe njëri, që e kishte emrin Kleopa, u përgjigj e tha: Vetëm ti qenke i huaj në Jerusalem, dhe s’paske marrë vesh se ç’janë bërë në të në këto ditë?
- Edhe ai u tha atyre: Cilat? Edhe ata i thanë: Punët e Jisu Nazaretasit, i cili qe njeri profet, i fortë në punë e në fjalë përpara Perëndisë dhe gjithë popullit;
- edhe si kryepriftërinjtë e të parët tanë e dorëzuan për dënim me vdekje dhe e kryqëzuan.
- Edhe ne shpresonim se ishte ai që kishte për të shpërblyer Izraelin. Po mbi gjithë këto, sot është e treta ditë qëkurse u bënë këto.
- Por na habitën edhe disa gra prej nesh, të cilat shkuan shpejt që me natë në varr,
- edhe pasi nuk gjetën trupin e tij, erdhën duke thënë se kishin parë edhe një pamje engjëjsh, të cilët thanë se ai rron.
- Edhe disa nga tanët shkuan në varr dhe e gjetën ashtu siç thanë edhe gratë; por atë nuk e panë.
- Atëherë ai u tha atyre: O të marrë dhe të vonuar në zemër për të besuar gjithë ato që folën profetët.
- A nuk duhej t’i pësonte këto Krishti, dhe të hynte në lavdinë e tij?
- Edhe duke zënë që nga Moisiu dhe që nga gjithë profetët, u komentonte atyre ato që ishin shkruar për të nëpër gjithë shkrimet.
- Edhe u afruan në fshatin ku po vinin. Edhe ai bëri sikur kishte për të shkuar më tej.
- Po ata e shtrënguan tepër, duke thënë: Rri bashkë me ne, sepse është ndaj të ngrysur dhe dita u thye. Edhe ai hyri për të qëndruar bashkë me ta.
- Edhe si ndenji në tryezë bashkë me ata, mori bukën, e bekoi dhe e theu, dhe ua ndau atyre.
- Atëherë u hapën sytë e tyre dhe e njohën; por ai humbi prej syve të atyre.
- Edhe ata i thanë njëri-tjetrit: A nuk digjej zemra jonë ndër ne, kur na fliste udhës dhe na zgjidhte shkrimet?
- Edhe u ngritën në atë orë dhe u kthyen në Jerusalem, dhe gjetën të mbledhur bashkë të dymbëdhjetët, dhe ata që ishin bashkë me ata,
- të cilët thoshin se me të vërtetë Zoti u ngjall dhe u duk tek Simoni.
- Edhe ata tregonin ç’u ngjanë udhës, dhe si u njoh tek ata në thyerjen e bukës.
- Edhe ndërsa ata po flisnin këto, vetë Jisui qëndroi në mes tyre, dhe u thotë: Paqe mbi ju.
- Po ata u trembën e u frikësuan, sepse u dukej se po shihnin ndonjë shpirt.
- Edhe ai u tha atyre: Përse jeni të turbulluar? Dhe përse hipin mendime në zemrat tuaja?
- Shihni duart e mia dhe këmbët e mia, se unë jam ai; prekmëni dhe shihni; se shpirti s’ka mish e eshtra, siç më shihni mua se kam.
- Edhe si tha këtë, u tregoi duart dhe këmbët.
- Po ndërsa ata nuk besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, u tha atyre: A keni gjë për të ngrënë këtu?
- Edhe ata i dhanë një copë peshk të pjekur dhe hoje mjalti.
- Edhe ai mori e hëngri përpara tyre.
- Pastaj u tha atyre: Këto janë ato fjalë, që ju fola juve, kur isha bashkë me ju, se duhet të përmbushen gjithë ato që janë shkruar në ligjin e Moisiut dhe në profetët dhe në Psalmet për mua.
- Atëherë u hapi mendjen atyre, që të merrnin vesh shkrimet.
- Edhe u tha atyre se kështu është shkruar, dhe kështu duhej të hiqte Krishti, dhe të ngjallej prej së vdekurish të tretën ditë,
- edhe të predikohej në emrin e tij pendim dhe ndjesë mëkatesh mbi gjithë kombet, duke zënë nga Jerusalemi.
- Edhe ju jeni dëshmitarë për këto.
- Edhe ja unë tek po dërgoj premtimin e Atit tim mbi ju; dhe ju rrini në qytetin Jerusalem, deri sa të visheni me fuqi prej së larti.
- Pastaj i nxori jashtë deri në Betani; dhe ngriti duart e tij e i bekoi.
- Edhe duke i bekuar ata ai u nda prej tyre, dhe u pru në qiell.
- Edhe ata si iu falën atij, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh.
- Edhe ishin gjithnjë në tempull, duke lavdëruar e duke bekuar Perëndinë. Amin.





