AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 24

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 24

    1. Edhe ditën e parë të javës, herët që me natë, erdhën mbi varr, e prunë ato erërat e mira, të cilat i kishin bërë gati; ishin edhe disa veta bashkë me ato.
    2. Edhe gjetën gurin të rrokullisur prej varrit.
    3. Edhe si hynë brenda, nuk e gjetën trupin e Zotit Jisu.
    4. Edhe ndërsa këto po vrisnin mendjen për këtë punë, ja tek qëndruan përpara tyre dy burra me rroba që vetëtinin.
    5. Edhe meqenëse ato u frikësuan, dhe ulën fytyrën në dhe, ata u thanë atyre: Ç’kërkoni të gjallin ndër të vdekurit?
    6. Nuk është këtu, po u ngjall. Kujtohuni si ju pati folur juve, kur qe ende në Galile,
    7. duke thënë se Biri i njeriut duhet të jepet në duar njerëzish mëkatarë dhe të kryqëzohet, dhe të tretën ditë të ngjallet.
    8. Edhe u ranë ndër mend atyre fjalët e tij.
    9. Edhe si u kthyen nga varri, lajmëruan për të gjitha këto të njëmbëdhjetët dhe gjithë të tjerët.
    10. Edhe ishin Maria Magdalena, dhe Joana, dhe Maria e ëma e Jakovit, dhe të tjerat bashkë me to, të cilat u thoshin apostujve këto fjalë.
    11. Por fjalët e tyre u dukën përpara atyre si fjalë të zbrazëta, dhe nuk u besonin atyre.
    12. Edhe Pjetri u ngrit e shkoi me vrap në varr; dhe u ul e pa vetëm pëlhurat që ishin përdhe. Edhe iku duke u çuditur me veten e tij për këtë punë.
    13. Edhe ja dy veta prej tyre ishin duke shkuar atë ditë në një fshat që quhej Emaus, që ishte gjashtëdhjetë stade larg nga Jerusalemi.
    14. Edhe ata flisnin në mes tyre për gjithë këto që kishin ngjarë.
    15. Edhe kur po flisnin e diskutonin njëri me tjetrin, u afrua edhe vetë Jisui e ecte bashkë me ta.
    16. Po sytë e tyre mbaheshin për të mos e njohur atë.
    17. Edhe ai u tha atyre: ç’janë këto fjalë që flitni njëri me tjetrin duke ecur, dhe pse jeni të vrenjtur?
    18. Edhe njëri, që e kishte emrin Kleopa, u përgjigj e tha: Vetëm ti qenke i huaj në Jerusalem, dhe s’paske marrë vesh se ç’janë bërë në të në këto ditë?
    19. Edhe ai u tha atyre: Cilat? Edhe ata i thanë: Punët e Jisu Nazaretasit, i cili qe njeri profet, i fortë në punë e në fjalë përpara Perëndisë dhe gjithë popullit;
    20. edhe si kryepriftërinjtë e të parët tanë e dorëzuan për dënim me vdekje dhe e kryqëzuan.
    21. Edhe ne shpresonim se ishte ai që kishte për të shpërblyer Izraelin. Po mbi gjithë këto, sot është e treta ditë qëkurse u bënë këto.
    22. Por na habitën edhe disa gra prej nesh, të cilat shkuan shpejt që me natë në varr,
    23. edhe pasi nuk gjetën trupin e tij, erdhën duke thënë se kishin parë edhe një pamje engjëjsh, të cilët thanë se ai rron.
    24. Edhe disa nga tanët shkuan në varr dhe e gjetën ashtu siç thanë edhe gratë; por atë nuk e panë.
    25. Atëherë ai u tha atyre: O të marrë dhe të vonuar në zemër për të besuar gjithë ato që folën profetët.
    26. A nuk duhej t’i pësonte këto Krishti, dhe të hynte në lavdinë e tij?
    27. Edhe duke zënë që nga Moisiu dhe që nga gjithë profetët, u komentonte atyre ato që ishin shkruar për të nëpër gjithë shkrimet.
    28. Edhe u afruan në fshatin ku po vinin. Edhe ai bëri sikur kishte për të shkuar më tej.
    29. Po ata e shtrënguan tepër, duke thënë: Rri bashkë me ne, sepse është ndaj të ngrysur dhe dita u thye. Edhe ai hyri për të qëndruar bashkë me ta.
    30. Edhe si ndenji në tryezë bashkë me ata, mori bukën, e bekoi dhe e theu, dhe ua ndau atyre.
    31. Atëherë u hapën sytë e tyre dhe e njohën; por ai humbi prej syve të atyre.
    32. Edhe ata i thanë njëri-tjetrit: A nuk digjej zemra jonë ndër ne, kur na fliste udhës dhe na zgjidhte shkrimet?
    33. Edhe u ngritën në atë orë dhe u kthyen në Jerusalem, dhe gjetën të mbledhur bashkë të dymbëdhjetët, dhe ata që ishin bashkë me ata,
    34. të cilët thoshin se me të vërtetë Zoti u ngjall dhe u duk tek Simoni.
    35. Edhe ata tregonin ç’u ngjanë udhës, dhe si u njoh tek ata në thyerjen e bukës.
    36. Edhe ndërsa ata po flisnin këto, vetë Jisui qëndroi në mes tyre, dhe u thotë: Paqe mbi ju.
    37. Po ata u trembën e u frikësuan, sepse u dukej se po shihnin ndonjë shpirt.
    38. Edhe ai u tha atyre: Përse jeni të turbulluar? Dhe përse hipin mendime në zemrat tuaja?
    39. Shihni duart e mia dhe këmbët e mia, se unë jam ai; prekmëni dhe shihni; se shpirti s’ka mish e eshtra, siç më shihni mua se kam.
    40. Edhe si tha këtë, u tregoi duart dhe këmbët.
    41. Po ndërsa ata nuk besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, u tha atyre: A keni gjë për të ngrënë këtu?
    42. Edhe ata i dhanë një copë peshk të pjekur dhe hoje mjalti.
    43. Edhe ai mori e hëngri përpara tyre.
    44. Pastaj u tha atyre: Këto janë ato fjalë, që ju fola juve, kur isha bashkë me ju, se duhet të përmbushen gjithë ato që janë shkruar në ligjin e Moisiut dhe në profetët dhe në Psalmet për mua.
    45. Atëherë u hapi mendjen atyre, që të merrnin vesh shkrimet.
    46. Edhe u tha atyre se kështu është shkruar, dhe kështu duhej të hiqte Krishti, dhe të ngjallej prej së vdekurish të tretën ditë,
    47. edhe të predikohej në emrin e tij pendim dhe ndjesë mëkatesh mbi gjithë kombet, duke zënë nga Jerusalemi.
    48. Edhe ju jeni dëshmitarë për këto.
    49. Edhe ja unë tek po dërgoj premtimin e Atit tim mbi ju; dhe ju rrini në qytetin Jerusalem, deri sa të visheni me fuqi prej së larti.
    50. Pastaj i nxori jashtë deri në Betani; dhe ngriti duart e tij e i bekoi.
    51. Edhe duke i bekuar ata ai u nda prej tyre, dhe u pru në qiell.
    52. Edhe ata si iu falën atij, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh.
    53. Edhe ishin gjithnjë në tempull, duke lavdëruar e duke bekuar Perëndinë. Amin.