AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 23

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 23

  1. Atëherë gjithë turma e tyre u ngritën dhe e prunë tek Pilati.
  2. Edhe zunë ta akuzonin duke thënë se këtë e gjetëm duke prishur kombin dhe duke ndaluar njerëzit t’i japin taksa Qezarit, duke thënë për veten e tij se është Krishti mbret.
  3. Edhe Pilati e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe ai u përgjigj e i tha: Ti po thua.
  4. Edhe Pilati u tha kryepriftërinjve e turmës: Asnjë faj nuk gjej te ky njeri.
  5. Por ata qëndronin me forcë duke thënë se trazon popullin, duke mësuar nëpër gjithë Judenë, duke nisur që nga Galilea e deri këtu.
  6. Edhe Pilati kur dëgjoi fjalën Galilea, pyeti në është ky njeri Galileas.
  7. Edhe kur e mori vesh se ishte prej vendit ku ushtronte pushtetin Irodi, e dërgoi tek Irodi, i cili edhe ai ato ditë ishte në Jerusalem.
  8. Edhe kur pa Jisuin, Irodi u gëzua shumë; se kishte mjaft kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë gjëra për të; dhe shpresonte të shihte të bëhej ndonjë shenjë prej tij.
  9. Edhe e pyeste me shumë fjalë, por ai nuk i përgjigjej fare.
  10. Edhe kryepriftërinjtë e shkruesit rrinin duke e akuzuar atë me zjarr.
  11. Edhe Irodi bashkë me ushtarët e tij e poshtëroi dhe e përqeshi, dhe i veshi një rrobë të ndritshme, dhe e dërgoi përsëri tek Pilati.
  12. Edhe atë ditë Pilati e Irodi u bënë miq njëri me tjetrin; sepse më përpara ishin në armiqësi me njëri-tjetrin.
  13. Edhe Pilati si thirri bashkë kryepriftërinjtë e të parët dhe popullin,
  14. u tha atyre: Prutë këtë njeri tek unë, se sikur trazon popullin; dhe ja unë përpara jush e pyeta hollësisht dhe nuk gjeta ndonjë faj te ky njeri, nga sa e akuzoni atë.
  15. Por as Irodi, se ju dërgova ju tek ai; dhe ja asgjë që të vlejë për vdekje s’ka bërë.
  16. Pasi ta mundoj pra, do ta lëshoj.
  17. Edhe i detyruar nga nevoja Pilati duhej t’u lëshonte atyre një nga të burgosurit për të kremte.
  18. Po të gjithë bashkë bërtitën, duke thënë: Ngrije këtë, dhe na lësho Barabain,
  19. i cili ishte hedhur në burg për një trazirë që ishte bërë në qytet dhe për vrasje.
  20. Përsëri pra Pilati u foli atyre se donte ta lëshonte Jisuin.
  21. Po ata thërritnin, duke thënë: Kryqëzoje, kryqëzoje.
  22. Edhe ai për të tretën herë u tha atyre: Përse, ç’të keqe ka bërë? Asnjë faj për vdekje s’gjeta tek ai; pasi ta mundoj pra, do ta lëshoj.
  23. Po ata qëndronin me zë të madh, duke kërkuar të kryqëzohet; edhe zërat e tyre e të kryepriftërinjve po forcoheshin shumë e më shumë.
  24. Edhe Pilati vendosi të bëhet kërkesa e tyre.
  25. Edhe u lëshoi atyre atë që ishte hedhur në burg për trazirë e për vrasje, të cilin e kërkonin, po Jisuin e dha në dëshirën e tyre.
  26. Edhe si e nxorën jashtë, zunë njëfarë Simon Qireneasi, që ishte duke ardhur nga ara, dhe i vunë kryqin mbi krahë, që ta sillte prapa Jisuit.
  27. Edhe i vinin prapa një turmë e madhe populli e grash, të cilat edhe çirreshin e ulërinin për të.
  28. Po Jisui u kthye e u tha atyre: Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, po qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
  29. Sepse ja tek po vijnë ditë, në të cilat do të thonë: Lum shterpat dhe ato barqe që nuk lindën dhe ata gjinj që nuk dhanë sisë.
  30. Atëherë do të zënë t’u thonë maleve: Bini mbi ne; dhe kodrave: Mbulonani.
  31. Sepse nëse mbi drurin e njomë bëjnë këto, mbi të thatin ç’do të bëhet?
  32. Po silleshin edhe dy keqbërës të tjerë që të vriteshin bashkë me të.
  33. Edhe kur erdhën në vendin që quhet vendi i Kafkës, atje e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë, dhe tjetrin në të majtë.
  34. Edhe Jisui thoshte: O Atë, ndjei ata; sepse nuk dinë se ç’bëjnë. Edhe duke ndarë rrobat e tij, hodhën short.
  35. Edhe populli rrinte e po vështronte. Edhe të parët e përqeshnin bashkë me ata, duke thënë: Të tjerë shpëtoi; le të shpëtojë veten e tij, nëse është ky Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë.
  36. Edhe e përqeshnin atë edhe ushtarët, duke u afruar e duke i dhënë atij uthull,
  37. edhe duke thënë: Nëse je ti mbreti i Judenjve, shpëto veten tënde.
  38. Edhe ishte shkruar mbi të edhe një mbishkrim me shkronja Greqishte e Latinishte e Hebraishte: Ky është mbreti i Judenjve.
  39. Edhe një nga ata keqbërësit që ishin varur, e shante atë, duke thënë: Nëse je ti Krishti, shpëto veten tënde dhe ne.
  40. Po tjetri u përgjigj dhe e qortoi atë, duke thënë: As nga Perëndia s’ke frikë ti që je në një dënim me të?
  41. Dhe ne me të drejtë jemi dënuar; sepse morëm shpagim siç na takon për sa punuam; po ky asnjë të keqe nuk bëri.
  42. Pastaj i thoshte Krishtit: Kujtomë, o Zot, kur të vish në mbretërinë tënde.
  43. Edhe Jisui i tha: Me të vërtetë po të them, sot do të jesh bashkë me mua në parajsë.
  44. Edhe ishte afërsisht ora e gjashtë, dhe u bë errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.
  45. Edhe dielli u err; dhe kurtina e tempullit u ça përmes.
  46. Edhe Jisui thirri me zë të madh, e tha: O Atë, në duart e tua jap shpirtin tim. Edhe si tha këto, dha shpirtin.
  47. Edhe kryeqindëshi, kur pa se ç’u bë, lavdëroi Perëndinë, duke thënë: Me të vërtetë ky njeri paska qenë i drejtë.
  48. Edhe gjithë turmat që kishin ardhur bashkë për të shikuar, kur panë se ç’u bë, ktheheshin duke rrahur krahërorët e tyre.
  49. Edhe rrinin gjithë të njohurit e tij për së largu, si dhe gratë që kishin ardhur bashkë me të nga Galilea, duke shikuar këto veprime.
  50. Edhe ja një burrë që quhej Josif, i cili ishte anëtar i këshillit, njeri i mirë e i drejtë,
  51. - ky nuk pati qenë në një mendje në këshillë e në punët e tyre, - nga Arimatea, qytet i Judenjve, i cili edhe vetë priste mbretërinë e Perëndisë.
  52. Ky erdhi pranë Pilatit, dhe lypi trupin e Jisuit.
  53. Edhe si e zbriti, e mbështolli me pëlhurë dhe e vuri në një varr të gdhendur në gur, ku asnjë kurrë s’ishte vënë.
  54. Edhe ishte ditë e premte dhe gdhihej e shtunë.
  55. Edhe i shkuan prapa edhe gra, të cilat kishin ardhur bashkë me të nga Galilea; ato panë varrin dhe se si u vu trupi i tij atje.
  56. Edhe u kthyen e bënë gati erëra të mira e vajra ere; dhe të shtunën u prehën sipas porosisë së ligjit.