AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 22

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 22

  1. Edhe po afrohej e kremtja e të pabrumëtave, që quhet pashkë.
  2. Edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin se si ta vrisnin, sepse kishin frikë prej popullit.
  3. Edhe Satanai hyri te Juda që quhej Iskariot, i cili ishte nga numri i të dymbëdhjetëve.
  4. Edhe Juda shkoi e foli me kryepriftërinjtë e me të parët e ushtarëve, se si t’ua dorëzonte.
  5. Edhe ata u gëzuan, dhe bënë fjalë t’i japin argjend.
  6. Edhe ai u zotua e kërkonte kohë të përshtatshme që t’ua dorëzonte pa bërë trazirë.
  7. Edhe erdhi dita e të pabrumëtave, në të cilën duhej të therej kurbani i pashkës.
  8. Edhe Jisui dërgoi Pjetrin dhe Joanin, duke thënë: Shkoni dhe na bëni gati pashkën, që të hamë.
  9. Edhe ata i thanë: Ku do ta bëjmë gati?
  10. Edhe ai u tha atyre: Kur të hyni ju në qytet, ja tek do t’ju takojë një njeri që mban një shtambë uji. Shkoni pas atij në shtëpinë ku të hyjë,
  11. dhe do t’i thoni të Zotit të shtëpisë: Mësuesi të thotë ty, ku është vendi, ku do të ha pashkën bashkë me nxënësit e mi.
  12. Edhe ai do t’ju tregojë juve një dhomë të madhe të shtruar. Atje bëjeni gati.
  13. Edhe ata si shkuan, gjetën siç u tha; dhe bënë gati pashkën.
  14. Edhe kur erdhi ora ndenji në tryezë, dhe të dymbëdhjetë apostujt bashkë me të.
  15. Edhe u tha atyre: Me dëshirë desha të ha këtë pashkë me ju, para se të pësoj.
  16. Sepse po ju them juve, se s’kam për të ngrënë më prej saj, deri sa të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë.
  17. Edhe si mori kupën, falënderoi, e tha: Merreni këtë dhe ndajeni në mes tuaj.
  18. Sepse po ju them juve se s’kam për të pirë prej pemës së hardhisë deri sa të vijë mbretëria e Perëndisë.
  19. Pastaj mori bukë, falënderoi dhe e theu e ua dha atyre duke thënë: Ky është trupi im, që jepet për ju; këtë bëjeni për kujtimin tim.
  20. Kështu, pasi hëngrën mori edhe potirin, duke thënë: Ky potir është dhiata e re në gjakun tim, që derdhet për ju.
  21. Por ja dora e atij që më tradhton tek është bashkë me mua mbi tryezë.
  22. Edhe i Biri i njeriut shkon, siç është urdhëruar për të, po mjerë ai njeri, me anë të të cilit tradhtohet.
  23. Edhe ata zunë të bisedonin në mes tyre se, vallë, cili prej atyre do të jetë ai që do ta bëjë këtë.
  24. U bë edhe një bisedë në mes tyre: Vallë, cili prej atyre duket se është më i madh.
  25. Edhe ai u tha atyre: Mbretërit e kombeve zotërojnë mbi ata, dhe ata që kanë pushtet mbi ata quhen mirëbërës.
  26. Po ju nuk do të jeni kështu; po më i madhi ndër ju le të bëhet si më i vogli, dhe ai që është i parë si ai që shërben.
  27. Se, cili është më i madh, ai që ka ndenjur në tryezë, apo ai që shërben? Apo jo ai që ka ndenjur në tryezë? Po unë jam në mes tuaj si ai që shërben.
  28. Edhe ju jeni ata që keni qendruar bashkë me mua në ngasjet e mia.
  29. Prandaj edhe unë bëj gati për ju një mbretëri, sikurse im Atë për mua,
  30. që të hani e të pini në tryezën time në mbretërinë time, dhe të rrini mbi frone, duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
  31. Edhe Zoti tha: Simon, Simon, ja Satanai tek ju kërkoi ju, që t’ju shoshë si grurë.
  32. Por unë u luta për ty, që të të mos shteret besimi; dhe ti, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.
  33. Po ai i tha: Zot, jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje.
  34. Po ai tha: Pjetër, po të them ty, nuk do të këndojë këndezi sot para se të më mohosh tri herë duke thënë se nuk më njeh.
  35. Pastaj u tha atyre: Kur ju dërgova për të predikuar pa kuletë e pa trastë e pa këpucë, mos ju mungoi gjë juve? Edhe ata thanë: Asgjë.
  36. U tha pra atyre: Por tani, ai që të ketë kuletë, le ta marrë me vete; kështu edhe ai që të ketë trastë; dhe ai që të mos ketë, le të shesë rrobën e tij dhe le të blejë thikë.
  37. Sepse po ju them juve se edhe kjo e shkruar duhet të përmbushet në mua, se “Edhe me të paudhët u numërua”, sepse të shkruarat për mua po marrin fund.
  38. Edhe ata thanë: Zot, ja tek janë këtu dy thika. Edhe ai u tha atyre: Mjaft është.
  39. Pastaj doli e shkoi, siç e kishte zakon në Malin e Ullinjve; dhe i shkuan pas edhe nxënësit e tij.
  40. Edhe si erdhi në vend, u tha atyre: Faluni për të mos hyrë në ngasje.
  41. Edhe ai u nda nga ata sa një të hedhur guri, dhe ra në gjunjë e falej,
  42. duke thënë: O Atë, nëse do, largoje këtë potir prej meje; veç jo dëshira ime, po jotja le të bëhet.
  43. Edhe iu duk një engjëll prej qielli duke i dhënë fuqi atij.
  44. Edhe si erdhi në agoni falej më tepër. Edhe djersa e atij u bë si të ngrira pikash gjaku duke rënë mbi dhe.
  45. Edhe si u ngrit nga falja, erdhi tek nxënësit e tij, e i gjeti duke fjetur nga hidhërimi,
  46. e u tha atyre: Ç’flini? Ngrihuni e faluni, që të mos hyni në ngasje.
  47. Edhe ndërsa ai po fliste, ja turma, dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, tek po vinte përpara tyre, dhe u afrua tek Jisui, që ta puthte.
  48. Edhe Jisui i tha: Judë, me puthje e tradhton të Birin e njeriut?
  49. Edhe ata që ishin rreth tij kur panë se ç’do të bëhej, i thanë: Zot, t’u biem me thikë?
  50. Edhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit, dhe i preu veshin e djathtë.
  51. Po Jisui u përgjigj e tha: Lëreni deri këtu; dhe kapi veshin e atij dhe e shëroi.
  52. Edhe Jisui u tha kryepriftërinjve e të parëve të tempullit e pleqve që kishin ardhur mbi të: Si mbi kusar keni dalë me thikë e me dru?
  53. Unë përditë isha me ju në tempull dhe nuk shtritë duart mbi mua. Po kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës.
  54. Edhe si e zunë, çuan dhe e prunë në shtëpinë e kryepriftit. Edhe Pjetri i vinte pas për së largu.
  55. Edhe si ndezën ata zjarr në mes të oborrit dhe ndenjën bashkë, rrinte edhe Pjetri në mes tyre.
  56. Edhe një shërbëtore, kur e pa atë duke ndenjur kundrejt dritës, e duke hedhur sytë mbi të, tha: Edhe ky ishte bashkë me atë.
  57. Po ai e mohoi, duke thënë: O grua, nuk e njoh.
  58. Edhe pas pakëz e pa atë një tjetër dhe tha: Edhe ti je prej atyre. Po Pjetri tha: O njeri, nuk jam.
  59. Edhe pasi shkoi rreth një orë, një tjetër qëndronte me forcë, duke thënë: Me të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të; sepse edhe Galileas është.
  60. Po Pjetri tha: O njeri, nuk di ç’thua. Edhe përnjëherë, ndërsa ai ishte ende duke folur, këndoi këndezi.
  61. Edhe Zoti u kthye e hodhi sytë mbi Pjetrin; dhe Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotit që i pati thënë se para se të këndojë këndezi, do të më mohosh tri herë.
  62. Edhe Pjetri doli jashtë dhe qau me hidhërim.
  63. Edhe ata burrat që mbanin Jisuin, e përqeshnin dhe e rrihnin.
  64. Edhe duke mbuluar sytë e tij, i binin faqes dhe e pyetnin duke thënë: Profetizo, cili është ai që të ra?
  65. Edhe i thoshin shumë të tjera duke sharë.
  66. Edhe si u bë ditë, u mblodh pleqësia e popullit dhe kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e prunë lart në kuvendin e tyre duke thënë: Nëse je ti Krishti, na thuaj.
  67. Edhe ai u tha atyre: Nëse ju them juve, nuk do të besoni.
  68. Edhe nëse ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, as nuk do të më lëshoni.
  69. Që tani Biri i njeriut do të jetë duke ndenjur nga e djathta e fuqisë së Perëndisë.
  70. Atëherë të gjithë thanë: Ti pra je i Biri i Perëndisë? Edhe ai u tha atyre: Ju po thoni se unë jam.
  71. Edhe ata thanë: Ç’nevojë kemi më për dëshmi, sepse ne vetë e dëgjuam prej gojës së tij.