Llukai 21
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 21
- Edhe hodhi sytë e pa të pasurit që hidhnin dhuratat e tyre në thesar.
- Pa edhe një të ve të varfër duke hedhur atje dy të imëta.
- Edhe tha: Me të vërtetë po ju them juve, se kjo e ve e varfër, hodhi më shumë se të gjithë.
- Sepse gjithë këta hodhën në dhuratat e Perëndisë prej tepricës së tyre, po kjo prej skamjes së saj hodhi gjithë pasurinë e vet që pati.
- Edhe ndërsa disa po flisnin për tempullin se është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata, tha:
- Këto që shikoni, do të vijnë ditë, në të cilat nuk do të mbetet gur mbi gur, që të mos rrëzohet.
- Edhe e pyetën, duke thënë: Mësues, kur pra do të bëhen këto? Edhe cila do të jetë shenja, kur do të bëhen këto?
- Edhe ai tha: Shikoni të mos gënjeheni; sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; dhe se koha u afrua. Mos shkoni pra prapa atyre.
- Edhe kur të dëgjoni luftra e trazira, mos u frikësoni; sepse këto duhet të bëhen më parë; po nuk është menjëherë fundi.
- Atëherë u thoshte atyre: Do të ngrihet komb kundër kombi, dhe mbretëri kundër mbretërie,
- edhe do të bëhen tërmete të mëdha në vende të ndryshme, dhe zira e murtaja, dhe do të ketë gjëra të frikshme e shenja të mëdha prej qiellit.
- Po para gjithë këtyre do të vënë duart e tyre mbi ju, dhe do t’ju ndjekin e do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje, duke ju prurë përpara mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim.
- Edhe kjo do t’ju jetë juve për dëshmi.
- Vini pra në zemrat tuaja këtë, të mos mendoheni më përpara me ç’fjalë të përgjigjeni,
- sepse unë do t’ju jap juve gojë e urtësi, së cilës nuk do të mund t’i kundërshtojnë, as t’i rrinë kundër gjithë armiqtë tuaj.
- Dhe do të dorëzoheni edhe prej prindërish e prej vëllezërish e prej njerëzish tuaj e prej miqsh; dhe do të vrasin disa prej jush.
- Edhe të gjithë do t’ju kenë smirë për emrin tim.
- Po asnjë qime prej kokës suaj s’ka për të humbur.
- Me durimin tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.
- Edhe kur të shihni Jerusalemin të rrethuar prej ushtrive, atëherë dijeni se u afrua shkretimi i tij.
- Atëherë ata që të jenë në Jude, le të ikin nëpër male; dhe ata që të jenë brenda në të, le të dalin jashtë, dhe ata që të jenë në fshatra, le të mos hyjnë brenda në të.
- Sepse ditë shpagimi janë ato, që të përmbushen gjithë të shkruarat.
- Edhe mjerë ato gra që janë shtatzëna e që kanë foshnjë në gji në ato ditë sepse do të jetë shtrëngim i madh mbi dhe, edhe zemërim mbi këtë popull.
- Edhe do të bien prej goje thikash, dhe do të skllavërohen nëpër gjithë kombet; dhe Jerusalemi do të shkelet prej kombesh, deri sa të plotësohen kohët e kombeve.
- Edhe do të ketë shenja në diell e në hënë e në yjet; dhe mbi tokë shtrëngim kombesh që nuk dinë ç’do të bëhen; dhe do të buçasë deti dhe valët.
- Njerëzve do t’u dalë shpirti nga frika e nga pritja e të këqijave që po vijnë mbi botë; sepse fuqitë e qiellit do të tunden.
- Edhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në re me fuqi e me lavdi të madhe.
- Edhe kur të nisin të bëhen këto, shikoni lart dhe ngrini kryet tuaj; sepse po afrohet shpërblimi juaj.
- Edhe u tha atyre një paravoli: Shihni drurin e fikut dhe gjithë drurët;
- tanimë kur të çelen, duke parë vetë ju merrni vesh se tani vera është afër.
- Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bëhen, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.
- Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto.
- Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
- Edhe vini re veten tuaj se mos u rëndohen zemrat prej dehjes e prej pirjes e prej kujdesjeve të jetës, e të vijë përmbi ju papandehur ajo ditë.
- Sepse si lak do të vijë përmbi të gjithë ata që rrinë mbi faqe të gjithë dheut.
- Rrini zgjuar pra duke u lutur në çdo kohë, që të bëheni të zotët të shpëtoni nga gjithë këto që do të bëhen, dhe të rrini përpara të Birit të njeriut.
- Edhe ditën mësonte në tempull, po natën dilte jashtë, dhe e shkonte natën në malin që quhet i Ullinjve.
- Edhe gjithë populli vinte që me natë tek ai në tempull për të dëgjuar atë.





