AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 19

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 19

  1. Edhe Jisui hyri e shkonte nëpër Jeriko.
  2. Edhe ja një njeri i quajtur me emrin Zakhe, i cili ishte kryetagrambledhës; dhe ishte i pasur.
  3. Edhe kërkonte të shihte Jisuin se cili është; po nuk mundej nga turma, sepse ishte i vogël në shtat.
  4. Edhe u sul përpara e hipi mbi një dru mani që ta shihte, sepse nga ajo udhë do të shkonte.
  5. Edhe Jisui, si erdhi në atë vend, ngriti sytë dhe e pa atë, dhe i tha: Zakhe, zbrit shpejt; sepse sot unë do të qëndroj në shtëpinë tënde.
  6. Edhe ai zbriti shpejt dhe e priti duke u gëzuar.
  7. Edhe të gjithë kur panë murmurisnin, duke thënë se hyri të rrijë te një njeri mëkatar.
  8. Edhe Zakheu qëndroi e i tha Zotit: Ja, o Zot, gjysmën e pasurisë sime tek po ua jap të varfërve, dhe në i kam marrë gjë njeriu me përdhunë, ia kthej për një katër.
  9. Edhe Jisui i tha se sot u bë shpëtim në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
  10. Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë të humburën.
  11. Edhe kur ata dëgjonin këto, Jisui shtoi e tha një paravoli, sepse ishte afër Jerusalemit, dhe ata pandehnin se menjëherë do të dukej mbretëria e Perëndisë.
  12. Tha pra: Një njeri i fisëm shkoi në një vend të largët për të marrë një mbretëri për veten e tij, e pastaj të kthehet.
  13. Edhe thirri dhjetë shërbëtorë të tij, e u dha dhjetë mna, dhe u tha: Punojini këto deri sa të vij.
  14. Po qytetarët e tij e kishin smirë dhe dërguan lajm pas atij, duke thënë: Nuk e duam këtë të mbretërojë mbi ne.
  15. Edhe si mori mbretërinë u kthye prapë, dhe tha të thirren tek ai ata shërbëtorët, të cilëve u pati dhënë argjendin, për të marrë vesh ç’kishte fituar gjithësecili.
  16. Edhe erdhi i pari, duke thënë: Zot, mnaja jote fitoi dhjetë mna.
  17. Edhe ai i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë; meqenëse u bëre besnik në të paktën, ki pushtet përmbi dhjetë qytete.
  18. Erdhi edhe i dyti, duke thënë: Zot, mnaja jote bëri pesë mna.
  19. I tha edhe këtij: Edhe ti bëhu zot përmbi pesë qytete.
  20. Erdhi edhe tjetri, duke thënë: Zot, ja mnaja jote, të cilën e pata ruajtur në një shami,
  21. sepse të pata frikë se je njeri i ashpër; merr atë që s’ke vënë, dhe korr atë që s’ke mbjellë.
  22. Edhe ai i thotë: Prej gojës tënde kam për të të gjykuar, shërbëtor i keq. Ti e dije se unë jam njeri i ashpër, dhe marr atë që s’kam vënë, dhe korr atë që s’kam mbjellë;
  23. Përse pra nuk e dhe argjendin tim në bankë, që, kur të vija unë, ta merrja bashkë me kamatën?
  24. Atëherë u tha atyre që rrinin përpara: Merrni mnanë prej atij dhe jepjani atij që ka të dhjetë mnatë.
  25. Edhe ata i thanë: Zot, ai ka dhjetë mna.
  26. Sepse po ju them juve, se kujtdo që ka do t’i jepet; dhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka do të merret prej atij.
  27. Por ata armiqtë e mi që s’më deshën të mbretëroj mbi ta, sillini këtu, dhe therini ata përpara meje.
  28. Edhe si tha këto, shkonte përpara, duke u ngjitur në Jerusalem.
  29. Edhe si u afrua në Betfagji e në Betani, pranë malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga nxënësit e tij,
  30. duke u thënë: Shkoni në fshatin e përtejmë, në të cilën kur të hyni, do të gjeni një pulisht lidhur, mbi të cilin s’ka hipur kurrë asnjeri; zgjidheni dhe silleni.
  31. Edhe nëse ju pyet ju ndonjë: Përse e zgjidhni? Kështu t’i thoni, se Zoti ka nevojë për të.
  32. Edhe si shkuan ata që u dërguan, gjetën siç u tha atyre.
  33. Edhe kur ata po zgjidhnin pulishtin, të zotët e tij u thanë atyre: Përse e zgjidhni pulishtin?
  34. Edhe ata u thanë: Zoti ka nevojë për të.
  35. Edhe e prunë te Jisui. Edhe si hodhën rrobat e tyre mbi pulishtin, hipën Jisuin mbi të.
  36. Edhe tek po shkonte, turmat shtronin rrobat e tyre udhës.
  37. Edhe kur u afrua ai tanimë në të zbritur të Malit të Ullinjve, gjithë grumbulli i nxënësve zunë të gëzoheshin e të lavdëronin Perëndinë me zë të madh për gjithë çuditë që panë,
  38. duke thënë: I bekuar qoftë mbreti që vjen në emrin e Zotit; paqe në qiell, dhe lavdi në të lartat.
  39. 39 Edhe disa Farisenj prej turmës i thanë: Mësues, qorto nxënësit e tu.
  40. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Po ju them juve, se në pushofshin këta, gurët do të thërresin.
  41. Edhe kur u afrua dhe pa qytetin, qau për atë,
  42. duke thënë se sikur të dije edhe ti, të paktën sot në këtë ditën tënde, ato që janë për paqen tënde, sa mirë do të ishte! Po tani u fshehën prej syve të tu,
  43. sepse kanë për të ardhur ditë për ty, dhe armiqtë e tu kanë për të bërë hendek rreth teje, dhe kanë për të të rrethuar, dhe kanë për të të shtrënguar nga të gjitha anët.
  44. Edhe kanë për të rrëzuar poshtë ty dhe djemtë e tu që gjenden tek ti, dhe nuk kanë për të lënë tek ti gur mbi gur; sepse nuk njohe kohën që erdhën për të të parë ty.
  45. Edhe si hyri në tempull, zuri t’i nxirrte jashtë ata që shitnin e blinin në të,
  46. duke u thënë atyre: Eshtë shkruar “Shtëpia ime është shtëpi lutjeje”; po ju e bëtë “shpellë kusarësh”.
  47. Edhe ishte duke mësuar përditë në tempull; dhe kryepriftërinjtë e shkruesit dhe të parët e popullit kërkonin ta prishnin;
  48. po nuk gjenin se ç’t’i bënin, sepse gjithë populli ishte varur pas tij për ta dëgjuar.