Llukai 19
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 19
- Edhe Jisui hyri e shkonte nëpër Jeriko.
- Edhe ja një njeri i quajtur me emrin Zakhe, i cili ishte kryetagrambledhës; dhe ishte i pasur.
- Edhe kërkonte të shihte Jisuin se cili është; po nuk mundej nga turma, sepse ishte i vogël në shtat.
- Edhe u sul përpara e hipi mbi një dru mani që ta shihte, sepse nga ajo udhë do të shkonte.
- Edhe Jisui, si erdhi në atë vend, ngriti sytë dhe e pa atë, dhe i tha: Zakhe, zbrit shpejt; sepse sot unë do të qëndroj në shtëpinë tënde.
- Edhe ai zbriti shpejt dhe e priti duke u gëzuar.
- Edhe të gjithë kur panë murmurisnin, duke thënë se hyri të rrijë te një njeri mëkatar.
- Edhe Zakheu qëndroi e i tha Zotit: Ja, o Zot, gjysmën e pasurisë sime tek po ua jap të varfërve, dhe në i kam marrë gjë njeriu me përdhunë, ia kthej për një katër.
- Edhe Jisui i tha se sot u bë shpëtim në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
- Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë të humburën.
- Edhe kur ata dëgjonin këto, Jisui shtoi e tha një paravoli, sepse ishte afër Jerusalemit, dhe ata pandehnin se menjëherë do të dukej mbretëria e Perëndisë.
- Tha pra: Një njeri i fisëm shkoi në një vend të largët për të marrë një mbretëri për veten e tij, e pastaj të kthehet.
- Edhe thirri dhjetë shërbëtorë të tij, e u dha dhjetë mna, dhe u tha: Punojini këto deri sa të vij.
- Po qytetarët e tij e kishin smirë dhe dërguan lajm pas atij, duke thënë: Nuk e duam këtë të mbretërojë mbi ne.
- Edhe si mori mbretërinë u kthye prapë, dhe tha të thirren tek ai ata shërbëtorët, të cilëve u pati dhënë argjendin, për të marrë vesh ç’kishte fituar gjithësecili.
- Edhe erdhi i pari, duke thënë: Zot, mnaja jote fitoi dhjetë mna.
- Edhe ai i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë; meqenëse u bëre besnik në të paktën, ki pushtet përmbi dhjetë qytete.
- Erdhi edhe i dyti, duke thënë: Zot, mnaja jote bëri pesë mna.
- I tha edhe këtij: Edhe ti bëhu zot përmbi pesë qytete.
- Erdhi edhe tjetri, duke thënë: Zot, ja mnaja jote, të cilën e pata ruajtur në një shami,
- sepse të pata frikë se je njeri i ashpër; merr atë që s’ke vënë, dhe korr atë që s’ke mbjellë.
- Edhe ai i thotë: Prej gojës tënde kam për të të gjykuar, shërbëtor i keq. Ti e dije se unë jam njeri i ashpër, dhe marr atë që s’kam vënë, dhe korr atë që s’kam mbjellë;
- Përse pra nuk e dhe argjendin tim në bankë, që, kur të vija unë, ta merrja bashkë me kamatën?
- Atëherë u tha atyre që rrinin përpara: Merrni mnanë prej atij dhe jepjani atij që ka të dhjetë mnatë.
- Edhe ata i thanë: Zot, ai ka dhjetë mna.
- Sepse po ju them juve, se kujtdo që ka do t’i jepet; dhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka do të merret prej atij.
- Por ata armiqtë e mi që s’më deshën të mbretëroj mbi ta, sillini këtu, dhe therini ata përpara meje.
- Edhe si tha këto, shkonte përpara, duke u ngjitur në Jerusalem.
- Edhe si u afrua në Betfagji e në Betani, pranë malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga nxënësit e tij,
- duke u thënë: Shkoni në fshatin e përtejmë, në të cilën kur të hyni, do të gjeni një pulisht lidhur, mbi të cilin s’ka hipur kurrë asnjeri; zgjidheni dhe silleni.
- Edhe nëse ju pyet ju ndonjë: Përse e zgjidhni? Kështu t’i thoni, se Zoti ka nevojë për të.
- Edhe si shkuan ata që u dërguan, gjetën siç u tha atyre.
- Edhe kur ata po zgjidhnin pulishtin, të zotët e tij u thanë atyre: Përse e zgjidhni pulishtin?
- Edhe ata u thanë: Zoti ka nevojë për të.
- Edhe e prunë te Jisui. Edhe si hodhën rrobat e tyre mbi pulishtin, hipën Jisuin mbi të.
- Edhe tek po shkonte, turmat shtronin rrobat e tyre udhës.
- Edhe kur u afrua ai tanimë në të zbritur të Malit të Ullinjve, gjithë grumbulli i nxënësve zunë të gëzoheshin e të lavdëronin Perëndinë me zë të madh për gjithë çuditë që panë,
- duke thënë: I bekuar qoftë mbreti që vjen në emrin e Zotit; paqe në qiell, dhe lavdi në të lartat.
- 39 Edhe disa Farisenj prej turmës i thanë: Mësues, qorto nxënësit e tu.
- Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Po ju them juve, se në pushofshin këta, gurët do të thërresin.
- Edhe kur u afrua dhe pa qytetin, qau për atë,
- duke thënë se sikur të dije edhe ti, të paktën sot në këtë ditën tënde, ato që janë për paqen tënde, sa mirë do të ishte! Po tani u fshehën prej syve të tu,
- sepse kanë për të ardhur ditë për ty, dhe armiqtë e tu kanë për të bërë hendek rreth teje, dhe kanë për të të rrethuar, dhe kanë për të të shtrënguar nga të gjitha anët.
- Edhe kanë për të rrëzuar poshtë ty dhe djemtë e tu që gjenden tek ti, dhe nuk kanë për të lënë tek ti gur mbi gur; sepse nuk njohe kohën që erdhën për të të parë ty.
- Edhe si hyri në tempull, zuri t’i nxirrte jashtë ata që shitnin e blinin në të,
- duke u thënë atyre: Eshtë shkruar “Shtëpia ime është shtëpi lutjeje”; po ju e bëtë “shpellë kusarësh”.
- Edhe ishte duke mësuar përditë në tempull; dhe kryepriftërinjtë e shkruesit dhe të parët e popullit kërkonin ta prishnin;
- po nuk gjenin se ç’t’i bënin, sepse gjithë populli ishte varur pas tij për ta dëgjuar.





