AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 18

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 18

  1. U thoshte atyre edhe një paravoli, që t’u tregonte se duhet të falen gjithnjë dhe të mos lodhen,
  2. duke thënë: Në një qytet ishte një gjykatës, i cili s’kishte frikë nga Perëndia dhe s’kishte turp nga njeri.
  3. Ishte edhe një e ve në atë qytet, dhe vinte tek ai, duke thënë: Jepmë të drejtën ndaj ndërgjyqësit tim.
  4. Edhe ai për njëfarë kohe nuk donte; po pastaj tha me vete: Ndonëse s’kam frikë nga Perëndia, dhe s’kam turp nga njeri,
  5. të paktën, meqë kjo e ve më bëhet barrë, le t’ia jap të drejtën, që të mos vijë gjithnjë e të më çajë kryet.
  6. Edhe Zoti tha: Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i paudhë.
  7. Po Perëndia, a nuk do t’u japë të drejtën të zgjedhurve të tij që e thërresin atë ditë e natë, kur dhe zemrën e ka të gjerë për ata?
  8. Po ju them juve, se do t’ua japë atyre të drejtën për së shpejti. Po kur të vijë i Biri i njeriut, vallë, a do ta gjejë besimin mbi dhe?
  9. Edhe disave nga ata që besonin në veten e tyre se janë të drejtë, dhe nuk i zinin për gjë të tjerët, u tha këtë paravoli:
  10. Dy njerëz u ngjitën në tempull që të faleshin; njëri ishte Farise dhe tjetri tagrambledhës.
  11. Fariseu ndenji e falej me veten e tij, duke thënë: O Perëndi, të faleminderit, se nuk jam si njerëzit e tjerë, rrëmbyes, të paudhë, të përdalë, ose edhe si ky tagrambledhës.
  12. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën nga gjithë ç’kam.
  13. Edhe tagrambledhësi kishte ndenjur larg e nuk donte as sytë të ngrinte përpjetë në qiell, po rrihte krahërorin e tij duke thënë: O Perëndi, përdëllemë mua mëkatarin.
  14. Po ju them juve, se ky zbriti në shtëpinë e tij më i drejtësuar se ai, sepse kushdo që ngre lart veten e tij, do të përulet; dhe ai që përul veten e tij, do të ngrihet lart.
  15. Edhe i prunë atij edhe foshnjat që t’i zinte me dorë; dhe nxënësit kur i panë, i qortuan.
  16. Por Jisui, si i thërriti pranë, tha: Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i ndaloni; sepse e të këtillëve është mbretëria e Perëndisë.
  17. Me të vërtetë po ju them juve, se ai që nuk do të presë mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.
  18. Edhe një i parë e pyeti, duke thënë: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme?
  19. Edhe Jisui i tha: Ç’më thua i mirë? Asnjë nuk është i mirë, përveçse një, Perëndia.
  20. Ti i di porositë: “Mos shkel kurorën; Mos vrit; Mos vidh; Mos jep dëshmi të rreme; Ndero atin tënd dhe nënën tënde”.
  21. Edhe ai tha: Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time.
  22. Edhe Jisui, kur dëgjoi këto, i tha: Edhe diçka të mungon, shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, dhe do të kesh thesar në qiell; dhe eja, e ndiqmë pas.
  23. Por ai, kur dëgjoi këto, u hidhërua; sepse ishte fort i pasur.
  24. Edhe Jisui, kur pa se u hidhërua, tha: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë pasuri!
  25. Sepse më kollaj është të hyjë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se një i pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
  26. Edhe ata që dëgjuan thanë: E kush mund të shpëtojë?
  27. Edhe ai tha: Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë.
  28. Edhe Pjetri tha: Ja ne tek lamë gjithçka dhe të erdhëm pas.
  29. Edhe ai u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se nuk ka asnjë që la shtëpi, a prindër, a vëllezër, a grua, a djem, për shkak të mbretërisë së Perëndisë,
  30. i cili të mos marrë shumë më tepër në këtë kohë, dhe në jetën që vjen jetë të përjetshme.
  31. Pastaj mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha atyre: Ja tek po ngjitemi në Jerusalem, dhe do të përmbushen gjithë sa janë shkruar me anë të profetëve për Birin e njeriut.
  32. Sepse do t’u dorëzohet kombeve, do të përqeshet, do të shahet e do të pështyhet,
  33. edhe si ta frushkullojnë, do ta vrasin; dhe të tretën ditë do të ngjallet.
  34. Po ata nuk morën vesh asnjë nga këto fjalë; dhe kjo fjalë ishte e fshehur nga ata, dhe nuk i merrnin vesh ato që u thuheshin atyre.
  35. Edhe kur ai u afrua në Jeriko, një i verbër po rrinte pranë udhës duke lypur,
  36. edhe kur dëgjoi turmën duke shkuar, pyeste: Ç’është kjo?
  37. Edhe i treguan se po shkon Jisu Nazaretasi.
  38. Edhe ai thirri duke thënë: Jisu, bir i Davidit, përdëllemë.
  39. Edhe ata që shkonin përpara e qortonin që të pushojë; po ai shumë më tepër thërriste: Bir i Davidit, përdëllemë.
  40. Edhe Jisui qëndroi, dhe urdhëroi ta sjellin tek ai; dhe ai, si u afrua, e pyeti,
  41. duke thënë: ç’do të të bëj? Edhe ai tha: Zot, të hap sytë e të shoh.
  42. Edhe Jisui i tha: Hap sytë e shih; besimi yt të shpëtoi.
  43. Edhe menjëherë hapi sytë e pa, dhe i vinte pas duke lavdëruar Perëndinë; dhe gjithë populli kur pa, i dha lavdi Perëndisë.