Llukai 17
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 17
- Edhe u tha nxënësve: Është e pamundur të mos vijnë skandalet; po mjerë ai, me anë të të cilit vijnë.
- Më mirë është për atë t’i varet një gur mulliri rreth qafës së tij dhe të hidhet në det, se të skandalizojë një nga këta të vegjlit.
- Vini re veten tuaj. Edhe në të bëftë mëkat yt vëlla, qortoje; dhe në u pendoftë, falja.
- Edhe në bëftë mëkat shtatë herë në ditë, dhe të kthehet shtatë herë në ditë tek ti e të thotë: Pendohem, t’ia falësh.
- Edhe apostujt i thanë Zotit: Shtona besimin.
- Edhe Zoti tha: Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoshit këtij druri të manit: Shkulu së këtejmi, dhe mbillu në det, dhe do t’ju dëgjonte.
- Edhe cili prej jush, që ka një shërbëtor që lëron ose ruan dhentë, do t’i thotë këtij menjëherë, sapo të kthehet nga ara: Shko e rri të hash?
- dhe nuk do t’i thotë: Bëj gati ç’të ha për darkë, dhe përvishu e shërbemë, deri sa të ha e të pi, edhe pastaj do të hash e do të pish ti?
- A mos ia njeh për hir atij shërbëtori, sepse bëri ato që e urdhëroi? Nuk më duket.
- Kështu edhe ju, kur të bëni gjithë sa ju janë urdhëruar, thoni se jemi shërbëtorë të pavlefshëm, sepse bëmë atë që kishim detyrë të bënim.
- Edhe kur ai po vinte për në Jerusalem, shkonte përmes Samarisë e Galilesë.
- Edhe kur po hynte në një fshat, takuan me të dhjetë burra leprozë, të cilët qëndruan nga larg.
- Edhe ata ngritën zërin, duke thënë: Jisu, mjeshtër, përdëllena.
- Edhe ai kur i pa, u tha atyre: Shkoni e rrëfeni veten tuaj tek priftërinjtë. Edhe ata duke shkuar u pastruan.
- Edhe një nga ata, kur pa se u shërua, u kthye duke lavdëruar Perëndinë me zë të madh,
- edhe ra përmbys në këmbët e tij, dhe e falënderoi; dhe ai ishte Samaritan.
- Edhe Jisui u përgjigj e tha: A nuk u pastruan të dhjetët? Po të nëntët ku janë?
- Nuk u gjendën të tjerë të kthehen që t’i japin lavdi Perëndisë, veç ky prej tjetër kombi?
- Edhe i tha: Ngrihu, e shko; besimi yt të shpëtoi.
- Edhe kur u pyet nga Farisenjtë se kur vjen mbretëria e Perëndisë, iu përgjigj atyre e tha: Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me të dukur.
- As nuk kanë për të thënë: Ja këtu është, ose: Ja atje; sepse ja mbretëria e Perëndisë tek është në mes tuaj.
- Edhe ai u tha nxënësve: Do të vijnë ditë, kur do të dëshironi të shihni një nga ditët e të Birit të njeriut; edhe nuk do të mundni.
- Edhe do t’j u thonë juve: Ja këtu është, ose, Ja atje; mos shkoni, as mos e ndiqni pas.
- Sepse sikurse vetëtima që vetëtin prej njërës anë nën qiell, ndrit deri në anën tjetër nën qiell, kështu do të jetë edhe i Biri i njeriut në ditën e tij.
- Po më përpara ai duhet të pësojë shumë, dhe të mos pëlqehet prej këtij brezi.
- Edhe siç u bë në ditët e Noes, kështu do të jetë në ditët e të Birit të njeriut.
- Hanin, pinin, martonin, martoheshin, deri në atë ditë që hyri Noeja në arkë. Dhe erdhi përmbytja dhe i prishi të gjitha.
- Kështu siç u bë edhe në ditët e Lotit; hanin, pinin, blinin, shisnin, mbillnin, ndërtonin shtëpi.
- Edhe që në atë ditë që doli Loti nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i prishi të gjitha.
- Kështu do të jetë në atë ditë që do të shfaqet i Biri i njeriut.
- Në atë ditë kush të gjendet në dhomë, dhe t’i ketë enët e tij brenda në shtëpi, le të mos zbresë t’i ngrerë; dhe ai që të gjendet në arë, gjithashtu le të mos kthehet prapa.
- Sillni ndër mend gruan e Lotit.
- Ai që do të kërkojë të shpëtojë shpirtin e tij, do ta humbë; dhe ai që ta humbë, do ta ruajë.
- Po ju them juve, atë natë do të jenë dy veta mbi një shtrat; njëri do të merret, e tjetri do të lihet.
- Dy gra do të jenë duke bluar bashkë; njëra do të merret, e tjetra do të lihet.
- Dy veta do të jenë në arë; njëri do të merret, e tjetri do të lihet.
- Edhe ata u përgjigjën e i thonë: Ku o Zot? Edhe ai u tha atyre: Ku është trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.





